Sport

City luan për tripletën, Interi kërkon befasinë e madhe

Skuadra e Interit është gati për të tentuar që ta shokojë botën e futbollit duke e mposhtur Manchester Cityn në finalen e Ligës së Kampionëve. Kështu ka insistuar trajneri i ekipit nga Serie A, Simone Inzaghi.

Finalja e Championsit mes Cityt dhe Interit, me të cilën ndeshje edhe mbyllet edicioni 2022/23 në futbollin evropian, do të luhet të shtunën prej orës 21:00 në “Ataturk Olympic Stadium” të Stambollit. City llogaritet favorit i madh përball Interit. City i Pep Guardiolas është në ndjekje të tripletës, pasi ka fituar titullin e kampionit të Premier Leagues dhe Kupën FA.

City ka fituar titullin e pestë në gjashtë vjet në Angli, ndërsa po e kërkon suksesin e parë në Champions. Megjithatë edhe Interi është në formë të mirë. I ka fituar 11 prej 12 ndeshjeve të fundit të luajtura në të gjitha garat.

Inzaghi e ka vlerësuar Cityn si ekipin më të fortë në botë, por ka insistuar se lojtarët e tij janë gati për një befasi të madhe.

“E kemi parasysh që na është ofruar një mundësi e madhe për të shkruar një faqe të re në historinë e futbollit. Po ashtu e kemi parasysh se do të jetë vështirë, por do të përpiqemi. Ne të bashkuar kemi arritur deri këtu dhe së bashku do të mundohemi ta fitojmë Championsin”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp të premten. “E dimë se çfarë loje duhet ta luajmë kundër Cityt dhe jemi gati. City është ekipi më i mirë në botë dhe këtë e ka dëshmuar në ndeshjet që i ka luajtur deri më tani. Ne jemi krenarë që kemi arritur këtu dhe do të bëjmë të pamundurën për një befasi të madhe. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë dhe do të jemi maksimalisht të përqendruar për ta mposhtur Cityn”.

Interi, i cili ka të fituar tre trofe të Ligës së Kampionëve, këtë edicion e ka siguruar Kupën dhe Superkupën e Italisë. Për trofeun e tretë të këtij edicioni, Interi do të bazohet në përvojën e fitoreve të vështira që i ka pasur këtë edicion. Për Interin është finalja e parë në Champions prej vitit 2010, kur udhëhiqej nga Jose Mourinho. Nën drejtimin e Mourinhos, Interi atëbotë fitoi tripletën, përfshirë titullin dhe kupën e Italisë.

“Kemi pasur një udhëtim të gjatë me momente të vështira deri në këtë finale, e cila do të jetë ndeshja e 57-të e këtij edicioni. Jemi rritur si ekip dhe kemi mësuar të fitojmë sipas mënyrës së vështirë. Kështu që këtë përvojë do ta përdorim ndaj Cityt. Do të dalim në fushë për të luftuar në çdo cep të saj dhe për të fituar”, ka shtuar Inzaghi, i cili ka thënë se mesfusha do të jetë shumë e rëndësishme dhe do të përcaktojë se kush do ta ngrejë trofeun në fund. “Krahas mesfushës mendoj se të rëndësishme do të jenë këmbët, koka dhe zemra”.

City me triumfin në Champions do të bëhej ekipi i dytë anglez që fiton tripletën, pas Manchester Unitedit në vitin 1999.

Mbrojtësi Ruben Dias ka thënë se ky është synimi i Cityt, duke shtuar se të gjithëve brenda ekipit po u pëlqen presioni i tripletës.

“Po na pëlqen ky presion ndonëse jemi mësuar tashmë me një gjë të tillë. Presioni për tripletën na obligon që të jemi më të fokusuar në finale, më të shpejtë dhe më efikas. Në duam ta shijojmë këtë finale dhe ta fitojmë pavarësisht se kush është kundërshtari që e kemi përballë”, tha Dias.

City është në finalen e dytë të Championsit në tre vjet. Në vitin 2021, skuadra e Pep Guardiolës pati pësuar nga Chelsea (1:0).

Përderisa City është në kërkim të trofeut të parë në Champions, Guardiola ka kohë që nuk ka triumfuar në garën kryesore të klubeve në Evropë. Ai ka dy trofe me Barcelonën, por të fundit në vitin 2011. Pas Barcelonës ai mori drejtimin e Bayern Munichut, por nuk arriti ta dërgonte ekipin bavarez drejt lavdisë evropiane. Dhe tani është vetëm një fitore larg nga suksesi i madh që po e presin të gjithë.

“Kjo finale dallon shumë prej finales së vitit 2021. Është ndeshje tjetër, me lojtarë të tjerë. Edhe në atë ndeshje e kishim suksesin në mendje, por nuk ia dolëm. Kështu që edhe ndaj Interit do të futemi me mendje të njëjtë, vetëm se këtë herë duam të fitojmë. Nëse gjithçka shkon mirë, në fund ne do të festojmë. Jemi gati dhe kam ndjenjën se lojtarët do të japin gjithçka nga vetja për këtë sukses”, tha trajneri i Cityt, Guardiola, në konferencën për shtyp, të premten.


E shtunë (21:00)

Man. City – Inter