Sport

Barcelona pëson në ndeshjen e fundit të edicionit

Barcelona e ka mbyllur me humbje edicionin në të cilin fitoi titullin e kampionit në La Liga. Të dielën mbrëma, Barça pësoi 2:1 në udhëtim te Celta Vigo. Gabri Veiga shënoi në minutën e 42-të dhe të 65-të për Celta Vigon. Ansu Fati shënoi golin e Barcelonës në minutën e 79-të.

Barça ka fituar titullin e kampionit me 88 pikë. Vigo renditet e 13-ta me 43 pikë. Në ndeshjet tjera të së dielës mbrëma, Betisi e Valencia barazuan 1:1, njëjtë si Elche e Cadizi. Espanyoli e Almeria luajtën 3:3, ndërsa Valladolidi e Getafe luajtën pa gola. Gara për ekzistencë ishte shumë interesante.

Nga La Liga largohen Valladolidi me 40 pikë, Espanyoli me 37 dhe Elche me 25. Almeria mblodhi 41 pikë dhe shpëtoi. Golin e shpëtimit, Almeria e shënoi në minutën e 88-të.