Sport

Gara për mbetje në elitë do të jetë shumë e fortë

Vetëm njëri nga Evertoni, Leicester City dhe Leeds Unitedi mund ta shmangin rënien nga Premier League në ditën e fundit të kampionatit.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 38-të të Premier Leagues angleze do të luhen të dielën dhe nisin në orën 17:30.

Evertoni në pozitën e 17-të ka 33 pikë.

Leicester City në vendin e 18-të me 31 pikë, aq sa ka edhe Leeds Unitedi në pozitën e 19-të, të parafundit.

Evertoni luan si vendas kundër Southamptonit.

Leicester City luan në shtëpi ndaj West Ham Unitedit, kurse Leedsi e pret Tottenhamin.

Përderisa këto tri skuadra do të luftojnë për t’i shpëtuar rënies dhe bashkimit me Southamptonin në rangun e dytë të futbollit anglez në edicionin tjetër, Aston Villa, Tottenhami dhe Brentfordi, do të garojnë për një vend që dërgon në Ligën e Konferencës.

Aston Villa luan me Brightonin. Në rast të fitores do t’i bashkohej kësaj skuadre në Evropë edicionin tjetër. Barazimi apo disfata do të bënte që Aston Villa të shpresojë në gabimin e Tottenhamit dhe Brentfordit, pra në humbjen e këtyre dy skuadrave.

Pozitat e tjera janë të konfirmuara tashmë.
Manchester City kampion do të luajë në udhëtim te Brentfordi, kurse Arsenali në shtëpi e pret Wolverhamptonin.

Dy vendet e tjera për në Ligën e Kampionëve janë siguruar nga Manchester Unitedi që luan në shtëpi kundër Fulhamit, dhe Newcastle që i shkon Chelseat. Liverpooli dhe Brightoni në pozitën e pestë dhe të gjashtë do të luajnë në Ligën e Evropës në edicionin tjetër.