Kanë mbetur edhe 30 ditë deri te fillimi i edicionit të tretë të Lojërave Evropiane.
Ngjarja shumësportëshe mbahet prej 21 qershorit deri më 2 korrik në Krakow dhe Malopolska të Polonisë. Lojërat Evropiane janë ngjarja e parë shumësportëshe në të cilën është paraqitur Kosova. Në Baku të Azerbajxhanit u mbajt edicioni i parë i Lojërave Evropiane, që në fillim pretendohej të ishte një “Olimpiadë Evropiane”. Ishte viti 2015, pak pasi Kosova u pranua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Entuziazmi në vend ishte i madh, ndërsa Lojërat e para Evropiane ishin të suksesshme për Kosovën falë Nora Gjakovës. Xhudistja fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, që ishte e vetmja për Kosovën.
Në edicionin e dytë të Lojërave Evropiane, në Minsk të Bjellorusisë në vitin 2019, Kosova i fitoi plot tri medalje. Të artë fitoi Majlinda Kelmendi, të argjendtë Nora Gjakova e të bronztë Loriana Kuka. Pra sërish medalje kishte vetëm në xhudo.
Nuk do të ketë medalje të xhudistëve në Poloni pas një muaji. Gara e Lojërave Evropiane në xhudo nuk vlen si Kampionat Evropian për seniorë, ashtu si në dy edicionet e para. Gara e xhudos në Lojëra Evropiane do të shërbejë si kampionat evropian për ekipe të përziera. Dhe Federata e Xhudos së Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë.
Pa xhudon, rreziku që Kosova të mbetet pa medalje në Lojërat e treta Evropiane është më i madh. Në Komitetin Olimpik të Kosovës, megjithatë, vlerësojnë se në ekip ka adut për medalje.
“Kosova do të prezantohet në Lojëra Evropiane me një ekip prej 30 deri në 35 sportistësh. 20 prej tyre do të jenë nga atletika. Shtatë do të jenë nga boksi, dy në teqball, një në taekwondo. Po pritet që dy të jenë në kajakim, një në shenjëtari, një në shigjetari e një në çiklizëm. Ndoshta edhe në triatlon apo ndonjë sport tjetër. Jemi në pritje të konfirmimeve”, ka thënë Kushtrim Krasniqi, zëdhënës i Komitetit Olimpik të Kosovës.
KOK-u ka nisur me kohë përgatitjet për këtë ngjarje.
Në të vërtetë Lojërat Evropiane nuk janë zhvilluar ashtu si pritej në vitin 2015, kur u mbajt edicioni i parë. Fakti se xhudoja më nuk e numëron ngjarje si Kampionat Evropian për të rritur e dëshmon këtë. Në disa sporte do të paraqiten më të mirët e kontinentit, por në një pjesë të konsiderueshme jo.
Pritet të garohet në 26 sporte të ndryshme. Shumë prej sporteve garën e Lojërave Evropiane e kanë si kualifikuese për lojërat olimpike “Parisi 2024”.
Sa i takon Kosovës, gjasat më të mëdha për medalje vlerësohet se i kanë boksierët. Gara e atletikës në Lojërat Evropiane shërben si Kampionat Evropian në konkurrencë ekipore. Kosova është në divizionin e tretë të Kampionatit Evropian ekipor, ku nuk fitohen medalje. Medalje mund të fitohen vetëm në divizionin e parë, ku garojnë 16 përfaqësueset më të forta evropiane. Në divizionin e tretë, që është i fundit, garohet për kalim në divizionin e dytë.
Lojërat Evropiane janë ngjarje me rëndësi, por as për së afërmi nuk e kanë peshën e Lojërave Evropiane.