Sport

Valencia mposht Realin, bën hap të madh për mbijetesë

Valencia ka bërë hap të madh drejt mbetjes në elitën e futbollit të Spanjës. Valencia të dielën në mbrëmje fitoi përballë Real Madridit me rezultatin 1:0, me një gol të shënuar në pjesën e parë. Golin e ka shënuar Diego Lopez në minutën e 33-të.

Reali, që u turpërua në Ligën e Kampionëve nga Manchester City në gjysmëfinale, u mundua t’i barazonte shifrat deri në fund të ndeshjes por nuk ia arriti një gjëje të tillë. Ndeshja në fund ishte dramatike. Vinicius Junior në minutën e shtatë të shtesës u ndëshkua direkt me të kuq.

Valencia me 40 pikë tani zë pozitën e 13-të në 35 ndeshje. Ka pesë pikë më shumë sesa Valladolidi që është në zonën e rrezikshme.

Deri në fund të kampionatit në La Liga kanë mbetur edhe tri xhiro. Real Madridi në vendin e tretë mbetet me 71 pikë, një më pak se Atletico Madridi i vendit të dytë.