Valencia do të mundohet ta shfrytëzojë momentin jo të mirë të Real Madridit të dielën në “Mestalla” për të fituar pikë që do të ishin të rëndësishme për mbetje në elitën e futbollit të Spanjës.
Valencia dhe Real Madridi luajnë të dielën, në orën 18:30, në ndeshjen e xhiros së 35-të në La Liga.
“Los Che” fitoi vikendin e kaluar te Celta Vigo, ndërsa rivalët për mbetje në elitë, Espanyoli, Getafe, Real Valladolidi, Cadizi dhe Almeria, humbën të gjitha.
Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti udhëton te Valencia si ekip i thyer, pas eliminimit të dhimbshëm nga Liga e Kampionëve, ku u shkatërrua nga Manchester City.
Real Madridi në pozitën e dytë ka 71 pikë, ndërsa Valencia është në vendin e 14-të me 37 pikë, tri më shumë se Getafe që është në pozitën e 18-të.
Të drejtuarit e Ruben Barajas mbështeten në talentin Smauel Lino, që është i huazuar nga Atletico Madridi.
Braziliani ka qenë vendimtar në ndeshjet e fundit për Valencian, duke shënuar tri gola në pesë ndeshjet e fundit në La Liga.
Si Lino ashtu edhe sulmuesi Justin Kluivert, që është i huazuar nga Roma, janë shprehur të hapur për të qëndruar te Valencia edhe në edicionin tjetër.
Por fillimisht, ata duhet ta mbajnë gjashtë herë kampionin e La Ligas në elitë.
Valencia ka qenë skuadra e fundit jashtë top-treshes që ka fituar titullin në vitin 2004. Më pas erdhi dominimi i Barcelonës, Real Madridit dhe Atletico Madridit.
Real Madridi në tabelë ka 14 pikë më pak se Barcelona, që tashmë ka fituar titullin e kampionit, dhe dy më shumë se Atletico Madridi i vendit të tretë.
Barcelona në fundjavë luan kundër Real Sociedadit, të shtunën, në orën 21:00, kurse Atletico Madridi e pret Osasunan të dielën në orën 16:15.