Sport

Hendbollistet e Istogut të motivuara ta mbrojnë titullin përballë Vushtrrisë

 

Motivi është shumë i madh te hendbollistet e Istogut përpara serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll, ku do të përballen me skuadrën e Vushtrrisë. E ky motiv ka ardhur, pasi Istogu rikthehet në palestrën e qytetit dhe synon fitore në ndeshjen e parë ndaj Vushtrrisë. Seria finale në konkurrencën e femrave nis të premten me përballjen që luhet në Istog prej orës 20:00. Skuadra e Istogut u detyrua që ndeshjen e parë gjysmëfinale të plejofit ta luante në Pejë për shkak që gjendja në palestrën ku i luajti të gjitha duelet e pjesës së rregullt të edicionit ishte rënduar pas reshjeve të vazhdueshme të shiut në fillim të këtij muaji. Megjithatë, Istogu tani rikthehet në këtë palestër, ndonëse nuk kishte pritur një gjë të tillë dhe është gati për ta mbrojtur titullin e kampionit. Në serinë gjysmëfinale, Istogu e eliminoi Kastriotin, ndërsa Vushtrria ishte më e mirë se Ferizaj. Istogu vlerësohet favorit i madh për titull dhe këtë e kanë parasysh edhe te skuadra kundërshtare. Është kampion në fuqi dhe po e kërkon titullin e tretë në histori të klubit. Të parin e fitoi në vitin 2019, ndërsa këtë edicion ka triumfuar edhe në Kupën e Kosovës. Ndeshja e parë finale, vlerësohet tejet e rëndësishme nga trajneri i Istogut, Faruk Shala.

“Presim që palestra në Istog të jetë plot. Është ndeshje finale, vendoset titulli i kampionit të Kosovës, andaj skuadra është shumë e motivuar për lojë. Kishim rrjedhë shumë të mirë të kampionatit, që edhe ishte synimi ynë”, ka thënë Faruk Shala, i cili nuk e ka fshehur respektin për rivalin. “Vërtet kam shumë respekt për skuadrën dhe vashat e Vushtrrisë. Ato janë treguar shumë këmbëngulëse. Edhe pse kanë humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale, kanë arritur të kthehen duke zhvilluar edhe vazhdimet në ndeshjen e tretë. Është skuadër që nuk ndalet për 60 minuta. Pres që finalja në Istog të jetë e fortë. Shpresoj që edhe këtë vit të dalim kampionë dhe trofeu i çmueshëm të mbetet në qytetin tonë, tashmë qendër e rëndësishme e hendbollit në vend”.