Mesfushori Granit Xhaka, sipas të gjitha gjasave, do të jetë pjesë e Bayer Leverkusenit prej edicionit të ardhshëm. Fabrizio Romano ka shkruar të martën se Xhaka është në bisedime të avancuara dhe në parim ka marrëveshje me skuadrën gjermane, e cila duhet të negociojë me Arsenalin për lirimin e tij.
Xhaka është pajtuar me kontratë katërvjeçare për të qenë pjesë e Leverkusenit deri në verën e vitit 2027. Po ashtu, thuhet se Leverkuseni është i gatshëm të paguajë rreth 13 milionë funte për kartonin e Xhakës.
30-vjeçari ka vendosur të largohet nga Arsenali, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2016 nga Borussia Moenchengladbachu.
Ai këtë edicion është njëri prej lojtarëve më të dalluar te “Topçinjtë”, ku ka realizuar 7 gola dhe ka bërë po aq asistime në 45 paraqitje në të gjitha garat deri më tani.
Xhaka ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2024, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.