Sport

Milani me mision shumë të vështirë

Inter - Milan, gjysmefinalja e Liges se Kampioneve

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, është i bindur se ekipi i tij do të jetë në gjendje ta përmbysë rezultatin e takimit të parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.

Pioli jo vetëm që beson në fitore ndaj rivalit lokal, Interit, por edhe në avancimin e Milanit në finale të Championsit.

Javën e shkuar Milani u mposht 2:0 në “San Siro” dhe të martën mbrëma luan ndeshjen e kthimit prej orës 21:00.

Në konferencën për shtyp të hënën, Pioli shtoi se ka besim të madh që Milani nuk do t’i përsëritë gabimet nga ndeshja e parë dhe do të reflektojë duke triumfuar dhe duke eliminuar Interin në duelin e kthimit. Ai ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, por ka insistuar se Milani nuk ka opsion tjetër për shkak se kjo konsiderohet si ndeshja më e madhe e edicionit. Sipas Piolit, Milani do të ketë një paraqitje madhështore pasi motivi është i madh te të gjithë lojtarët se mund ta mposhtin Interin.

“Në këtë pikë, duke pasur parasysh se ku jemi në ligë, kjo është ndeshja më e madhe e edicionit. Ne e dimë se duhet të bëjmë një paraqitje të madhe, duhet të dalim me besimin se mund ta mposhtim Interin. Të mposhtim Interin do të thotë se jemi në rrugën e kualifikimit. Duhet të luajmë mirë. Unë mendoj se ne kemi mundësinë për ta bërë një gjë të tillë”, është shprehur Pioli. “Nuk është e lehtë, por ne kemi një objektiv të rëndësishëm në mendje: të fitojmë ndeshjen për t'u kualifikuar në finale siç askush nuk do ta kishte parashikuar ndonjëherë. Askush nuk mendon se Milani mund të arrijë në finale. E ne duam ti befasojmë të gjithë”.

Milani pas një kohe të gjatë është kthyer në garën elitare të Evropës në nivel klubesh. Ka triumfuar shtatë herë në Champions, ndërsa trofeun e fundit e ka fituar në vitin 2007. Te Milani për ndeshjen e së martës do të kthehet sulmuesi i krahut, Rafael Leao, i cili mungoi në duelin e parë. Portugezi është rikuperuar dhe pritet të jetë titullar. Ai është njëri prej lojtarëve kyç te Milani këtë edicion, ku ka shënuar 13 gola dhe ka bërë po aq asistime në të gjitha garat.

Megjithatë, mungesë e madhe për Milanin do të jetë mesfushori Ismael Bennacer, i cili tashmë ka mbyllur edicionin për shkak të lëndimit.

“Leao është shumë më mirë, po ashtu edhe Kruniq e Messias. Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, ata do të jenë të gatshëm për të luajtur prej fillimit”, paralajmëroi Pioli.

Edhe trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Championsit. Inzaghi ka insistuar se kjo përballje është një nga më të rëndësishmet në historinë e klubit. Ai insistoi se Interi po synon të kthehet në finale të Championsit për herë të parë që nga viti 2010, kur triumfoi në këtë garë.

Inzaghi ka paralajmëruar futbollistët e tij që të mos bazohen në avantazhin 2:0 nga ndeshja e parë, duke shtuar se ende gjithçka mbetet e hapur.

“Si trajner e trajtoj çdo ndeshje në të njëjtën mënyrë. Por kjo e kthimit mund të them se është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Interit. E dimë se kemi një avantazh të merituar, por nuk do të na duhet vetëm ta menaxhojmë atë. Ne do të duhet të luajmë në mënyrën e Interit, duke e ditur se kemi një ekip të fortë përballë”, është shprehur Inzaghi. “Ne duhet të bëjmë paraqitje të mirë si në ndeshjen e parë dhe të fitojmë për ta prekur finalen. Të gjithë e kanë parasysh se jemi vetëm 90 minuta larg realizimit të ëndrrës tonë dhe duhet të bëjmë të pamundurën për ta arritur”.

Për dallim prej Milanit, skuadra e Interit pritet të jetë e kompletuar për ndeshjen e kthimit.

Përderisa Milani vjen pas humbjes në kampionat nga Spezia (2:0), Interi është i motivuar pas fitores 4:2 ndaj Sassuolos dhe formës së mirë që ka treguar kohët e fundit.

“Rrugëtimi ynë në Champions nuk nisi mirë, por mund ta bëjmë rezultat fantastik me kualifikimin në finale. E kemi parasysh se Milani do të tentojë të kundërpërgjigjet për humbjen e javës së shkuar, por ne jemi gati dhe të vendosur për të luajtur në finalen e Stambollit”, shtoi Inzaghi.

Në ndeshjen e kthimit Interi do të jetë vendës dhe Inzaghi shtoi se presin përkrahjen e madhe të tifozëve sikurse gjatë tërë edicionit, në mënyrë që të eliminojnë Milanin.

E martë (21:00)
 

Inter – Milan (2:0)

*Në kllapa është rezultati i ndeshjes së parë