Sport

LA Lakersi eliminon Golden State Warriorsin

LeBron Jamesi pati paraqitje mbresëlënëse dhe ishte prej më meritorëve që Los Angeles Lakersi kaloi në finalet e Konferencës së Perëndimit duke e eliminuar kampionin në fuqi të ligës NBA, Golden State Warriorsin.

38-vjeçari realizoi 30 pikë, ndërsa Lakersi fitoi 122:101 në ndeshjen e fundit, kurse kaloi në finale me rezultatin 4:2 në seri.

Lakersi, që përfundoi në vendin e shtatë në sezonin e rregullt, do të luajë kundër Denver Nuggetsit në finalen e Konferencës së Perëndimit. Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë më pas në finalen e madhe të ligës NBA.

Miami Heati e mposhti New York Knicksin dhe shkoi në finalet e Konferencës së Lindjes.

Jimmy Butler realizoi 24 pikë dhe shtoi tetë kërcime, ndërsa Heati fitoi 96:92 në Florida.

Kaloi në finale pasi e fitoi serinë gjysmëfinale 4:2. Pas 24 vjetëve, bëhet skuadra e parë që ishte bartëse e tetë dhe arrin në finale të konferencës.

Miami do të luajë kundër fituesit në duelin Boston Celtics – Philadelphia 76ers. Këto dy skuadra do të luajnë të dielën në ndeshjen vendimtare, pasi seria gjysmëfinale është 3:3.