Barcelona mund ta fitojë titullin e La Ligas në Spanjë në këtë vikend.
Barcelona të dielën luan në udhëtim tek Espanyoli, nga ora 21:00, në ndeshjen që i takon xhiros së 34-t.
Klubi nga Katalonja në rast se e mposht Espanyolin do ta fitojë titullin e parë në Spanjë që prej vitit 2019.
Nga 15 pikët sa kanë mbetur në lojë, Barçës i duhen vetëm dy deri në fund të kampanjës për ta festuar titullin. Dhe shansin e parë e ka kur luan në udhëtim këtë fundjavë.
Barcelona është 13 pikë para Atletico Madridit, ndërsa në ndeshjet e ndërsjella më e mirë është skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez.
Real Madridi, kampioni i edicionit të kaluar, është 14 pikë prapa në vendin e tretë dhe është i fokusuar në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.
Herën e fundit kur Barcelona ngriti lart trofeun e La Ligas, Lionel Messi ishte ende lider i skuadrës, ndërsa ekipi udhëhiqej nga Ernesto Valverde. Barcelona kishte shkëlqyer në 11 edicione. Kishte fituar tetë herë ligën, ndërsa kishte edhe tri Kupa Evropiane të fituara.
Që prej asaj kohe Barcelona pati krizë financiare, por edhe telashe me lojtarë.
Barcelona arriti ta fitojë Kupën e Mbretit në vitin 2021 nën drejtimin e Ronald Koemanit, që ishte trofeu i fundit i Messit para se të largohej drejt Paris Saint-Germainit. Dy edicionet pasuese u mbyllën pa asnjë trofe të fituar.
Sergio Busquets pritet ta festojë trofeun e 32-të me Barcelonën.
Ai ka fituar tetë kampionate të Spanjës, ndërsa ka paralajmëruar largimin nga klubi në fund të edicionit.
Megjithatë, ndeshja do të jetë e vështirë për Barçën për shkak se Espanyoli rrezikon t’i bashkohet Elches tashmë të rënë nga elita spanjolle e futbollit.
Espanyoli ka 31 pikë në pozitën e parafundit. Ka tri pikë më pak se skuadra e vendit të 17-të që siguron mbetjen në elitë.
Kjo do të jetë edhe përballje mes sulmuesit më të mirë në ligë, Robert Lewandowski, që ka 19 gola, dhe Joselu Mato, që është golashënuesi i tretë më i mirë në ligë me 14 gola. Ai kishte shënuar në barazimin 1:1 në “Camp Nou” në muajin dhjetor.
Espanyoli fitoren e fundit ndaj Barcelonës në të gjitha garat e kishte shënuar në Kupën e Mbretit në vitin 2018. Në ligë nuk ka fituar prej vitit 2009.
Barcelona ka dominuar në ligë tash e dy muaj, qëkur fitoi ndaj Real Madridit, 2:1.
Barcelona ka 26 tituj të La Ligas. Renditet e dyta pas Real Madridit që ka 35 tituj.
Të dielën luan edhe Atletico Madridi, në udhëtim te Elche. Real Madridi të shtunën prej orës 21:00 e pret Getafen.