Sport

Arteta i kënaqur me Xhakën, nuk e komenton të ardhmen e mesfushorit

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka insistuar se është tejet i kënaqur me paraqitjet e mesfushorit Granit Xhaka këtë sezon me fanellën e ekipit nga Londra.

Madje, Arteta ka shtuar se Xhaka po e shijon sezonin e tij më të mirë prej se iu bashkua Arsenalit në vitin 2016 nga Borussia Moenchengladbachu.

Megjithatë, trajneri spanjoll nuk ka dashur të komentojë rreth të ardhmes së Xhakës pas raportimeve të fundit se mesfushori shqiptar do të largohet në verë nga klubi për t’u transferuar në Bundesligë, te skuadra e Bayer Leverkusenit.

“Nuk do t'u përgjigjem raportimeve të caktuara, por jam jashtëzakonisht i kënaqur me Granitin. Mendoj se ai po kalon një sezon të jashtëzakonshëm, ndoshta më të mirin që e ka në klub dhe ne jemi vërtet të lumtur që e kemi”, ka thënë Arteta në konferencën e mbajtur të premten.

Xhaka 30-vjeçar këtë sezon ka 7 gola e po aq asistime në 44 paraqitje për Arsenalin në të gjitha garat. Ai ka kontratë me ekipin londinez deri në vitin 2024 me opsionin e vazhdimit edhe përnjë vit tjetër.