Sport

Golden State Warriors e shmang eliminimin

Stephen Curry ka qenë koshashënuesi më i mirë në fitoren që Golden State Warriors e shënoi ndaj Los Angeles Lakersit në San Francisco.

Warriorsi që është kampion në fuqi i ligës NBA, fitoi me rezultatin 121:106, për t’i mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në finalet e Konferencës së Perëndimit.

Curry shënoi 27 pikë në total, kurse rezultati i përgjithshëm në serinë gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave është 3:2 në të mirë të Lakersit.

Andrew Wiggins shtoi 25 pikë për Warriorsin, kurse Draymond Green e mbylli ndeshjen me 20 pikë.

Lakersi e ka një tjetër mundësi për të kaluar tutje në këtë konferencë të premten.

Megjithatë, Lakersi mund të jetë pa qendrën Anthony Davis, që pa dashje u qëllua në kokë nga Kevon Looney dhe u largua nga palestra.

LeBron James shënoi 25 pikë për Lakersin, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.

Në gjysmëfinalen tjetër të Konferencës së Lindjes, New York Knicks fitoi 112:103 ndaj Miami Heatit dhe nuk lejoi eliminimin në “Madison Square Garden”.

Njësoj si Golden State, edhe New Yorku është duke humbur 3:2 në serinë gjysmëfinale.

Jalen Brunson shënoi 38 pikë.