Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, ka theksuar se përballja në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me Milanin është më shumë sesa një derbi tjetër lokal. Gjigantët e qytetit të Milanos, të cilët kanë fituar dhjetë herë trofeun e Championsit, përballen të mërkurën në ndeshjen më të madhe në gati dy dekada. Dhe trajneri i Interit, Inzaghi, e di mirë rëndësinë e ndeshjes.
Dueli mes Milanit dhe Interit do të luhet në stadiumin “San Siro” nga ora 21:00. Kjo do të jetë hera e parë që dy ekipet nga Milano do të luajnë me njëra-tjetrën në garën elitare të Evropës, pas të ashtuquajturit “derbi i turpit” të vitit 2005. Atëbotë Milani pati fituar në çerekfinale, por ndeshja e dytë u pati ndërprerë për shkak se tifozët e Interit filluan të hedhin fishekzjarrë në fushë, pasi ekipi i tyre ishte në disavantazh. Në fakt, Milani e pati eliminuar Interin edhe në fazën nokaut të Championsit në vitin 2003. Megjithatë, në shtatë përballjet e fundit Interi është treguar më i suksesshëm duke shënuar tri fitore, dy barazime dhe dy humbje. Të gjitha këto rezultate janë arritur nën drejtimin e Inzaghit, i cili erdhi në krye të Interit në vitin 2021.
“Nuk është vetëm një derbi lokal, por një derbi i vërtetë futbolli evropian. Në 20 muajt e fundit kemi luajtur shtatë ndeshje me Milanin, të cilat i kemi fituar dhe humbur. Secili derbi e ka rrëfimin e tij, por ky është i veçantë sepse luajmë për një vend në finale të Ligës së Kampionëve. Ne kemi bërë shumë sakrifica për të arritur deri këtu dhe duhet të bëjmë të pamundurën ta kalojmë edhe këtë pengesë”, ka thënë Inzaghi në konferencën për shtyp, të martën.
Interi po shpreson që ta fitojë gjysmëfinalen e parë, në mënyrë që të regjistrojë triumfin e parë përballë Milanit në garat evropiane. Interi në këtë ndeshje futet pas një serie prej pesë fitoreve në të gjitha garat.
“Ne do të duhet të jemi shumë të mirë në përdorimin e kokës kur kemi nevojë, sepse gjithmonë ka ngjarje të papritura në ndeshje kaq të rëndësishme. E them këtë sepse në ndeshjet e fundit kemi qenë të mirë dhe tejet të kthjellët”, ka shtuar Inzaghi. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme siç kanë qenë finalet e tjera. Ne e dimë se çfarë do të thotë për ne, për klubin, për tifozët, madje edhe për veten time. Por unë jam mjaft i qetë pasi i kam parë djemtë shumë të përqendruar dhe kjo më bën optimist”.
Milani, i cili u rrëzua nga froni si kampion i Serie A javën e kaluar nga Napoli, ka pasur një ecuri të vështirë në ligë me vetëm tri fitore në 10 ndeshjet e fundit. Ka rënë në vendin e pestë në tabelë, dy pikë prapa Interit të vendit të katërt. Trajneri Stefano Pioli zgjodhi që këtë edicion të përqendrohet në ecurinë e ekipit në Champions, gjatë së cilës eliminuan Tottenhamin në 1/8 e finales dhe Napolin në çerekfinale. Dilema më e madhe e Piolit për përballjen e parë me Interin do të jetë sulmuesi i krahut, Rafael Leao. Leao u lëndua në ndeshjen e fundit kampionale dhe doli nga fusha në minutën e 11-të. Ai është njëri prej lojtarëve kryesorë te Milani këtë edicion, pasi ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar 10 herë në të gjitha garat.
“Leao ka stërvitur me ekipin, por vetëm para fillimit të ndeshjes do të vendosë se çfarë do të bëjë. Do të bisedoj me mjekun dhe nëse është gati, do ta ftoj për të luajtur, qoftë nga fillimi apo në minutat e fundit të ndeshjes”, ka thënë Pioli, i cili ka insistuar se synimi i ekipit të tij është ta eliminojë Interin në këtë fazë për ta prekur finalen. “Në Champions kemi pasur një ecuri të jashtëzakonshme. Ne duam të përpiqemi të kapërcejmë këtë pengesë, përpara se të kualifikohemi në finale dhe për këtë jemi të motivuar maksimalisht. Nuk është aspak lehtë, por jemi përgatitur dhe gati ta realizojmë këtë synim”.
Në gjysmëfinalen tjetër përballë janë Real Madridi dhe Manchester City.
Finalja e Championsit luhet më 10 qershor në Stamboll.
E mërkurë
Milan – Inter (21:00)