3 perditesime
15:36

Nora Gjakova, e shtata në Botëror

Nora Gjakova ka mbetur pa medalje në Kampionatin Botëror të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit.

Nora garoi të martën në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa u rendit e shtata. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti italianen Thauany Capanni Dias. Më pas fitoi ndaj gjermanes Seija Ballhaus.

Në çerekfinale, Nora pësoi nga turkja Hasret Bozkurt, derisa në luftën e parë të repesazhit humbi edhe nga Mimi Huh e Koresë së Jugut. Prej saj humbi me uazari në kohën shtesë. Huh ia ka shkaktuar tri humbje deri më tani Norës, kampiones olimpike në fuqi.

14:46

Nora ndalet në çerekfinale, lufton për medalje të bronztë

Nora Gjakova është ndalur në çerekfinale të kategorisë deri 57 kilogramë në Botërorin e xhudos në Doha të Katarit. Nora pësoi nga turkja Hasret Bozkurt, që më herët gjatë ditës e eliminoi edhe kampionen botërore, Rafaela Silva.

Nora nisi aksionin për hedhje, por ishte Bozkurt që ktheu gjërat në favorin e saj dhe realizoi hedhje për Ippon.

Nora e vazhdon garimin në repesazh. I duhen dy fitore për medalje të bronztë. Ajo deri më tani ka dy fitore e një humbje.

14:28

Nora fiton me “Ippon”, shpërthen në emocione

Nora Gjakova është në çerekfinale të Botërorit të xhudos. Në raundin e tretë të kategorisë deri 57 kilogramë, Nora e mposhti gjermanen Seija Ballhaus.

Lufta ishte shumë e fortë, ndërsa shkoi në kohën shtesë.

Në kohën shtesë, Nora realizoi kundërsulm të suksesshëm për fitore me Ippon.

Pasi siguroi fitoren, Nora kishte një “shpërthim emocional”, duke bërtitur dy herë në shenjë triumfi. Në çerekfinale përballet me turken Hasret Bozkurt.

13:00

Fitore e bukur e Nora Gjakovës

Nora Gjakova ka shënuar fitore me hedhje të bukur në Botërorin e xhudos në Doha.

Kampionia olimpike në raundin e dytë të kategorisë deri 57 kilogramë e kaloi xhudisten e Italisë, Thauany Capanni Dias. 

Nora në raundin e parë ishte e lirë, ndërsa nuk kishte telashe në raundin e dytë.