Sport

Haaland është gati për përballje me treshen sulmuese të Realit

Descriptive Text

Dy nga skuadrat sulmuese më të mira në Evropë do të përballen në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, me Erling Haalandin e Manchester Cityt që do të ballafaqohet me treshen e Real Madridit: Vinicius Juniorin, Rodrygon dhe Karim Benzeman.

Do të jetë një reprizë e gjysmëfinales së vitit të kaluar, kur Real Madridi mposhti një ekip të Cityt që nuk e kishte Haalandin në përbërje. City nuk arriti përsëri suksesin evropian, ndërsa Reali Madridi vazhdoi me rekorde në Champions, duke e fituar trofeun e 14-të.

Shtimi i Haalandit në përbërje mund të jetë ndryshimi i madh për skuadrën e Pep Guardiolas këtë herë. Norvegjezi 22-vjeçar shënoi 12 nga 26 golat e Cityt në Ligën e Kampionëve këtë edicion. Ai ka pesë gola më pak se rekordi i Cristiano Ronaldos, që brenda një edicioni pati realizuar 17 gola në Champions për Realin në edicionin 2013/14.

Haaland i ka shtuar një dimension të ri sulmit të Cityt, që luajti pjesën më të madhe të edicionit të kaluar pa sulmues tipik. Në vend që të fokusohet në dominimin me top, Guardiola ka qenë i lumtur të përdorte Haalandin si armë në kundërsulm ndonjëherë. Sulmuesi ka arritur rekord në Premier League me 35 gola këtë edicion dhe ka 51 gola në total në të gjitha garat.

Real Madridi do t'i përmbahet formulës që ka funksionuar mirë në vitet e fundit, me Viniciusin, Benzeman dhe Rodrygon që kryesojnë me radhë një sulm që shënoi 25 gola në Champions këtë edicion, 15 prej tyre nga kjo treshe. Te sulmuesit shënuan tetë nga 10 golat e ekipit në fazën nokaut të garës.

Sezonin e kaluar Vinicius, Benzema dhe Rodrygo u bashkuan për të gjashtë golat e Realit, teksa skuadra eliminoi Cityn me rezultatin e përgjithshëm 6:5 në gjysmëfinale. Rodrygo shënoi dy gola në kohën shtesë për ta çuar ndeshjen e kthimit në vazhdime në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Rodrygo ndaj Cityt, të martën, futet pas dy golave të shënuar në fitoren 2:1 ndaj Osasunas që i dha Realit triumfin në Kupën e Spanjës të shtunën e shkuar. Vinicius pati një asistim dhe vazhdoi të luante në nivel të lartë. Benzema shënoi “hat-trick” në fitoren 4:2 të Realit kundër Almerias në xhiron e kaluar të ligës spanjolle.

Me trofeun e Kupës së Spanjës tashmë të siguruar dhe titullin e La Ligas të paarritshëm, Reali do të jetë i fokusuar plotësisht në Ligën e Kampionëve, saktësisht në duelet kundër Cityt.

“Ne jemi përgatitur për një ndeshje të madhe të martën dhe do të futemi në lojë me motiv shumë të lartë”, paralajmëroi trajneri Carlo Ancelotti. “Ne do të luftojmë deri në fund, sepse jemi shumë afër një finaleje tjetër”.

City do të hyjë në gjysmëfinale ndaj Realit kur ende është në mes të një gare të fortë për titullin e kampionit në Angli. Pep Guardiolas iu desh të luante me disa nga lojtarët kryesorë – përfshirë Haalandin dhe Kevin de Bruynen – për 90 minuta të plota në fitoren 2:1 ndaj Leedsit të shtunën.

Real Madridi arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve pasi eliminoi dy klube angleze, Liverpoolin në 1/8 e finales dhe Chelsean në çerekfinale. City e kaloi Leipzigun në 1/8 e finales përpara se ta eliminonte Bayern Munichun në çerekfinale.

Reali po e bën paraqitjen e 11-të gjysmëfinale në 13 edicionet e fundit dhe po përpiqet të fitojë trofeun e gjashtë në dhjetë edicione. City luajti në finalen e parë të Championsit para dy edicioneve, por u mposht nga skuadra e Chelseat.