Arsenali nuk është i kënaqur vetëm me kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ri. Skuadra londineze ende po lufton për titullin e kampionit të Premier League. Kështu ka insistuar trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, të hënën, një ditë para duelit me Chelsean.
Ndeshja mes Arsenalit dhe Chelseat zhvillohet të martën në stadiumin “Emirates” dhe nis në orën 21:00. Skuadra nga Londra, Arsenali, tashmë ka siguruar kthimin në Champions pas një mungese prej gjashtë vjetësh, por ka rënë nga pozita e parë në kampionat. Hapin e madh prapa në garë për titull e bëri me humbjen e thellë, 4:1, që e pësoi javën e shkuar nga Manchester City.
Tani City është favorit i madh për ta mbrojtur titullin e kampionit, por Arteta thekson se lojtarët e tij nuk kanë hequr dorë nga ambiciet për ta fituar titullin, i cili i mungon Arsenalit prej vitit 2004.
“Ky është mentaliteti që na duhet dhe me këtë mentalitet do të luajmë deri në fund të sezonit aktual. Nuk jemi të kënaqur vetëm me kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duam ta fitojmë titullin. Kjo do të thotë se ne ende nuk kemi hequr dorë nga gara për titull”, insistoi Arteta.
Me pesë ndeshjet që i kanë mbetur Arsenalit deri në fund të edicionit – dhe Cityt gjashtë sosh – Arteta insiston se asgjë nuk ka marrë fund. Madje thekson se edhe shumë gjëra do të ndodhin në javët në vijim dhe se ata që tashmë e kanë konfirmuar ekipin e Pep Guardiolas si kampion të këtij edicioni, mund t’i bien pishman.
City doli i pari në tabelë pas fitores 2:1 ndaj Fulhamit, të dielën. Ka 76 pikë nga 32 ndeshje. Arsenali ka 75 pikë nga 33 ndeshje. Skuadra e Artetas është në seri prej katër ndeshjeve pa fitore. Ka tri barazime e një humbje.
Arsenali e mbajti pozitën e parë në Premier League për 247 ditë këtë edicion dhe mund të rikthehet sërish në krye të tabelës të martën mbrëma, me fitore ndaj Chelseat. Chelsea nuk është në formë të mirë, pasi ka tubuar vetëm dy pikë prej gjashtë ndeshjeve të fundit. Arteta beson në ekipin e tij për këtë përballje, të cilën e ka quajtur tejet të rëndësishme.
“Fitorja është ajo që e duam ndaj Chelseat. Fitorja na kthen në krye të tabelës dhe me mentalitetin fitues do t’i qasemi ndeshjes prej fillimit. E kemi parasysh se në ndeshjet e fundit nuk kemi marrë fitore dhe tani e kemi rastin ideal për ta treguar dëshirën dhe synimin për titullin e kampionit”, ka insistuar Arteta. “Ne jemi në Champions dhe kjo është mirë, por askush në klub nuk është i kënaqur vetëm me këtë fakt. Do të kënaqemi nëse e fitojmë edhe titullin e kampionit dhe me një qasje të tillë ne mund të ecim përpara si ekip në çdo aspekt. Kemi lënë pas vetes humbjen e fundit dhe jemi të fokusuar plotësisht te ndeshja e radhës që duhet ta fitojmë patjetër. Jemi gati për këtë”.
Trajneri i përkohshëm i Chelseat, Frank Lampard është i përkushtuar për fitoren e parë prejse ka ardhur në krye të ekipit, pas shkarkimit të Graham Potterit. Chelsea aktualisht zë vendin e 12-të dhe gjasat janë të mëdha që ta regjistrojë kampanjën me të keqe prej edicionit 1993/94, kur përfundoi në vendin e 14-të. Lampard ka pranuar se ekipin e pret një ndeshje e vështirë dhe ka paralajmëruar se synimi janë pikët e plota. Ai ka vlerësuar se motivi ka rënë te futbollistët e Chelseat.
“Shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të marrim fitore për ta kthyer besimin në ekip. Do të jetë shumë vështirë, por pres prej lojtarëve që të mos dorëzohen për asnjë moment. Duhet të rikthehemi dhe të japim më të mirën nga vetja në këto ndeshjet e fundit. Synimi është të përfundojmë sa më lart në tabelë”, është shprehur Lampard. “E kemi parasysh se Arsenali është i inatosur pasi e ka humbur vendin e parë, si dhe ka katër ndeshje pa fitore, që do të thotë se na pret një kundërshtar shumë i vështirë. Por unë kam besim në ekipin tim, që do të rikthehet, pavarësisht se të gjithë jemi të zhgënjyer me rezultatet e fundit”.