Skuadra e Miami Heatit e ka eliminuar Milwaukee Bucksin nga plejofi i NBA-së që në rundin e parë. Miami mposhti Bucksin 128:126 për ta çuar serinë në 4:1 dhe duke përfunduar sezonin për skuadrën me rekordin më të mirë gjatë sezonit të rregullt.
Miami u udhëhoq drejt fitores nga fantastiku Jimmy Butler, që shënoi 42 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime. Madje, shënoi një dypikësh interesant në sekondat e fundit të çerekut të katërt për ta çuar ndeshjen në shtesë.
Bucksit nuk i ndihmuan as 38 pikët e 20 kërcimet e Giannis Antetokounmpos.
Miami hyri në plejof përmes plejin në vendin e tetë. Dhe eliminimi i skuadrës që e përfundoi sezonin e rregullt me rekordin më të mirë, 58 fitore e 24 humbje në pozitën e parë, është padyshim befasia e këtij rundi.
Plasmanin në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes e siguroi edhe New York Knicksi, që eliminoi Cleveland Cavaliersin bindshëm 4:1. Fitorja 106:95 mbrëmë pas mesnate i siguroi Knicksit rundin e dytë të plejofit për herë të tretë në dy dekada.
Në rundin tjetër, Knicks luan me Miamin.
Mbrëmë u luajtën edhe dy ndeshje të tjera. Golden State Warriors mundi në udhëtim Sacramento Kingsin 123:116 dhe mori avancimin në seri (3:2).
Memphis Grizzlies ngushtoi epërsinë (3:2) ndaj Los Angeles Lakers, pasi e mposhti thellë 116:99.