Një komunitet ukrainas në Brazilin jugor ka vendosur ta kthejë ekipin e tij lokal të futbollit në jetë, duke i vënë emrin FC Mariupol. Mariupoli ishte një klub i nivelit elitar në Ukrainë, i shpërbërë pas pushtimit rus të Ukrainës. Tani në Brazil u vendos për këtë emër në shenjë solidariteti me vendin e shkatërruar nga lufta.
AA Batel, ekipi nga rajoni Prudentopolis në Parana, njoftoi të martën se do ta marrë fanellën, stemën dhe logon e Mariupolit, një vit pasi objektet dhe stadiumi i klubit u shkatërruan në pushtimin që Moska e quan një operacion ushtarak special.
“Klubi Mariupol përfaqëson identitetin e komunitetit tonë dhe komuniteti ynë është më shumë se 70 për qind me prejardhje ukrainase”, tha presidenti i AA Batel, Alex Lopes. “Ukraina ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht mbështetëse e talenteve të mëdha të futbollit brazilian dhe u bë një portë e rëndësishme për lojtarët tanë për të hyrë në tregun evropian. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të ndihmuar në mbajtjen e klubit të tyre gjallë dhe për t'u dhënë shpresë ukrainasve në të gjithë botën”.
Për shkak të komunitetit të madh ukrainas në rajonin e Prudentopolis, shumë refugjatë ukrainas që ikën nga konflikti në vendin e tyre përfunduan në Brazilin jugor. Kjo e bën lëvizjen edhe më shumë personale për shumë nga banorët vendas, të cilët mbështesin në masë të madhe veprimin e ekipit lokal. Futbollistët brazilianë që kanë bërë emër në Ukrainë janë të shumtë, ndërsa ndër më të suksesshmit mbeten Willian e Fernandihno.
Drejtuesit e klubit nga Ukraina janë ndier tejet krenarë me këtë veprim të skuadrës nga Brazili. Mariupoli është njëri prej disa klubeve të Ukrainës që nuk janë rikthyer në garat e kampionatit vendas prejse ka filluar lufta. Nënkryetari i Mariupolit, Andriy Sanin, i dëshiroi suksese AA Batelit.
“Ne jemi shumë mirënjohës për këtë pritje të ngrohtë nga AA Batel. Lufta ka qenë shkatërruese për qytetin tonë, por është e pamundur të shprehet se sa do të thotë për ne që ky ekip futbolli nga pjesa tjetër e botës të ofrojë për të mbajtur gjallë emrin tonë gjatë kësaj kohe të errët në historinë tonë”, ka insistuar ai. “Ne shpresojmë dhe lutemi që AA Batel të ketë suksese me emrin dhe logon e re që është e FC Mariupolit”.
Klubi i Premier Ligës së Ukrainës, Mariupol, i themeluar në vitin 1992, ka marrë pjesë në rundet kualifikuese të Kupës së UEFA-s, që tashmë njihet si Liga e Evropës. Hera e fundit që Mariupoli u paraqit në këtë garë të Evropës ishte edicioni 2019/20. Kur nisi lufta në Ukrainë, skuadra e Mariupolit ishte në pozitën e 17-të në tabelë.