Ajaxi i Amsterdamit rrezikon të përfundojë jashtë dy vendeve të para në kampionatin e Holandës – Eredivise – për herë të parë pas 13 sezoneve. Me këtë Ajaxi rrezikon ta humbë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër, pasi po lufton për të ndërtuar një ekip të ri pas shitjeve rekorde vitin e fundit.
Klubi nga Amsterdami ka përfunduar shtatë herë kampion dhe pesë herë nënkampion gjatë 12 edicioneve të fundit, qëkur doli i treti pas AZ Alkmaarit dhe Twentes në vitin 2009. Tek Ajaxi e kanë parasysh këtë situatë dhe po shpresojnë që në katër ndeshjet e fundit të këtij edicioni ta sigurojnë vendin e dytë, pasi për të parin as që bëhet fjalë. Humbja e fundit, 3:0 nga PSV Einhoveni, ka bërë që Ajaxi të bjerë në pozitën e tretë në tabelë me 62 pikë të mbledhura. Vendin e parë e ka Feyenoordi që ka 73 pikë dhe po marshon drejt titullit, ndërsa PSV-ja është e dyta me 65 pikë. Megjithatë, situata tek Ajaxi mund të vështirësohet edhe më shumë pasi ndeshjen e ardhshme, më 6 maj, e luan në udhëtim tek AZ Alkmaari, ekip që është i katërti dhe ka dy pikë më pak.
“Nuk jemi aspak në një situatë të mirë dhe do të mundohemi të reflektojmë në këto ndeshjet e mbetura për ta kthyer pozitën e dytë në tabelë, pasi pjesëmarrja në Champions është jetike për një ekip si Ajaxi”, ka pranuar John Heitinga, i cili është emëruar në rolin e trajnerit të përkohshëm deri në fund të edicionit. “Gjërat nuk kanë shkuar mirë këtë sezon, pasi kanë ndikuar largimet e lojtarëve kryesorë”.
Ajaxi, i cili takohet sërish me PSV-në këtë të diel në finalen e Kupës së Holandës, ka paguar çmimin për suksesin gjatë tri edicioneve të fundit, ku e fitoi titullin dhe arriti në gjysmëfinale të Championsit në vitin 2019. Ka shitur pjesën më të madhe të lojtarëve të talentuar dhe ka humbur trajnerin Erik ten Hag te Manchester Unitedi.
Feyennoordit i duhen vetëm edhe pesë pikë për t’u konfirmuar kampion, ndërsa Ajaxi nëse mbyll sezonin në vendin e tretë atëherë edicionin tjetër do të paraqitet në Ligën e Evropës pas 13 sezonesh rresht në Champions. Ajaxi, i cili është katër herë kampion i Evropës, bëri shitje rekorde prej 216.2 milionë eurosh para fillimit të këtij edicioni, përfshirë pothuajse 155 milionë që erdhën vetëm nga Manchester Unitedi për sulmuesin Antony dhe mbrojtësin Lisandro Martinez.
Por pavarësisht bilancit pozitiv bankar, klubi është në tranzicion duke luftuar për të zëvendësuar talentet e larguara. Mbrojtësi Jurrien Timber, i cili po kërkohet nga skuadrat e mëdha të Evropës, ka pranuar se ka vënë re një rënie të nivelit në stërvitjet e përditshme dhe në ndeshjet javore të ekipit.
“Ne fituam vetëm një ndeshje të fortë gjatë gjithë sezonit dhe vetëm në atë ndeshje luajtëm mirë”, tha Timber, duke iu referuar eliminimit të Feyenoordit në gjysmëfinale të Kupës. “Ne kemi nevojë për më shumë cilësi në skuadër”.
Ajaxi u mposht 6:1 në shtëpi nga Napoli dhe 3:0 nga Liverpooli në Ligën e Kampionëve, ndërsa në janar shkarkoi trajnerin Alfred Schreuder pas vetëm gjysmë edicioni në krye të ekipit, pas një serie prej shtatë ndeshjesh pa fitore. Mirëpo gjërat nuk po shkojnë mirë as me trajnerin e përkohshëm.
“Ishte një sezon i vështirë, të gjithë e kuptojmë këtë”, pranoi Heitinga. “Duhet të jemi realistë, kanë ikur shumë lojtarë cilësorë dhe kemi një ekip krejtësisht të ri që duhet të marrë formë. Kjo kërkon kohë. Duhet ta marrim këtë vit siç është dhe të bëhemi gati për kampionatin e ardhshëm. Është një vit i tranzicionit tek Ajaxi, por në këtë ekip nuk bën që tranzicioni të zgjasë shumë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.