Philadelphia 76ers e ka mposhtur skuadrën e Brooklyn Netsit 96:88 për ta kompletuar me rezultatin 4:0 serinë e raundit të parë të plejofit në ligën NBA.
Edhe pse pa yllin e skuadrës, Joel Embiidin, 76ers dhuroi paraqitje të jashtëzakonshme në pjesën e dytë.
Tani do të luajë kundër Boston Celticsit apo Atlanta Hawksit në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes.
Embiid mungoi për shkak të lëndimit në gju, në ndeshjen e tretë.
Sixers ishte duke humbur me 11 pikë në fillim të çerekut të tretë, por seria 18:4 bëri që kjo skuadër ta merrte epërsinë të cilën e ruajti deri në fund.
De’Anthony Melton që erdhi nga banka rezervë realizoi 15 pikë.
Paul Reed e mbylli ndeshjen me 10 pikë e 15 kërcime.
Phoenix Suns është në epërsi 3:1 ndaj Los Angeles Clippersit, pasi në ndeshjen e fundit fitoi 112:100.
Kevin Durant e mbylli ndeshjen me 31 pikë, 11 kërcime e gjashtë asistime, kurse Devin Booker realizoi 30 pikë. Ishte fitorja e dytë rresht për Sunsin në këtë seri.
Një tjetër fitore do t’ua siguronte kalimin në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit.
Kawhi Leonard dhe Paul George munguan te Clippersi për shkak të lëndimeve.
Ndërkohë, Los Angeles Lakersi është duke fituar 2:1 ndaj Memphis Grizzliesit, pas fitores 111:101.
Ja Morant i rikthyer nga lëndimi për Griezzlies shënoi 45 pikë, por nuk ishin të mjaftueshme për ta mposhtur Lakersin.
Te Lakersi lojë të shkëlqyer bëri Anthony Davies që shënoi 31 pikë, kurse LeBron James shtoi 25 pikë.
Edhe Miami Heati ka krijuar epërsi 2:1 në seri, pas fitores 121:99 ndaj Milwaukee Bucksit, që edhe një herë tjetër u desh të luajë pa Giannis Antetokounmpon.
Jimmy Butler realizoi 30 pikë për Heatin.