Sigal Prishtina ka bërë një hap të rëndësishëm drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, skuadra e kaltër fitoi ndaj Trepçës me rezultat 87:71.
Prishtina tani udhëheq 2:1 në serinë gjysmëfinale të plejofit. Në finale kalon skuadra që shënon tri fitore.
Ndeshja e katërt luhet të dielën në Mitrovicë, ndërsa ndeshja e pestë eventuale mesjavën e ardhshme në Prishtinë.
Prishtina ka udhëhequr thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe në fund ka shënuar fitore bindëse.
21:19 përfundoi çereku i parë në të mirë të Prishtinës, që në çerekun e dytë shënoi shtatë pikë më shumë.
Trepça ka bërë përpjekje, është afruar në rezultat, por pa ia dalë të përmbysë atë. Mitrovicasit kanë pasur telashe në mbrojtje, por edhe në sulm.
Both Gach ka shkëlqyer te Prishtina duke e përfunduar ndeshjen me 23 pikë e pesë kërcime. Derrick Wilson i kishte 16 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Dardan Berisha ndeshjen e përfundoi me 11 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.
Te Trepça bindshëm më i miri ishte Jamal Artis. Ai realizoi 23 pikë e tetë kërcime.Will Daniels i kishte 13 pikë e tetë kërcime, ndërsa Drilon Hajrizi i kishte dhjetë pikë e gjashtë kërcime.
Në një kthim të papritur e të pa paralajmëruar, ndeshjen e drejtuan gjyqtarët vendas. Ndeshjet e deritashme të gjysmëfinales së plejofit janë drejtuar nga dy gjyqtarë të huaj e një vendorë.
Trajneri i Prishtinës, Ahmet Kandemir është përjashtuar për shkak të teknikeve që i mori si pasojë e reagimeve të vazhdueshme.