Me kokën ulur dhe duar në xhepa, Todd Boehly kishte një vështrim të hidhëruar teksa ecte nëpër fushë në stadiumin “Stamford Bridge” dhe drejt zhveshtores që kishte një nga skuadrat më të shtrenjta në futboll.
Chelsea sapo ishte eliminuar prej Ligës së Kampionëve nga Real Madridi, duke përfunduar në mënyrë jo të lavdishme edicionin e parë e të vështirë nën pronësinë e amerikanit Boehly. Është mesi i prillit, një kohë e edicionit kur skuadra është zakonisht në garë për trofe, në kampionat dhe në Evropë. Por, jo këtë edicion.
Realisht është një situatë e vështirë për klubin nga Londra, i cili ka bërë shpenzime të mëdha në dy afatet e fundit kalimtare, me 630 milionë dollarë të harxhuara në përforcime.
“Unë mendoj se hapi i parë është bërë. Një hap i pasaktë, por është bërë”, pranoi mbrojtësi i Chelseat, Thiago Silva, i cili e përshkroi këtë edicion si një “periudhë të vështirë për klubin”.
Në të vërtetë javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtare në formësimin e rrugës që po ndjek një nga klubet më të mëdha të Anglisë, nën drejtimin e pronarëve, që ende po mësohen me botën e shpejtë të futbollit elitar.
Është e kuptueshme pse shumë do të dyshojnë se Chelsea nuk ka njerëzit e duhur për të marrë ato vendime të mëdha, pasi deri më tani gjithçka ka qenë një kaos i vërtetë. Chelsea është në vendin e 11-të në Premier League, pa gjasa reale për t'u kualifikuar në garat evropiane. Skuadra drejtohet nga një trajner i përkohshëm, Frank Lampard, i cili u shkarkua nga klubi dy vjet më parë, por që është rikthyer në mënyrë urgjente pas largimit të dy trajnerëve - Thomas Tuchelit në shtator dhe Graham Potteri muajin e kaluar. Lampardi ka humbur të katër ndeshjet që nga kthimi i tij. Pastaj, Chelsea padyshim që ka një “skuadër të fryrë” që duhet të tkurret. Përmban rreth 30 lojtarë, shumë prej të cilëve kanë kontrata të shtrenjta dhe të gjata. Kësaj i shtohet edhe goditja financiare që do të marrë Chelsea për mungesën e kualifikimit në garat evropiane.
Ish-sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka thënë se lidershipi i ri bëri një gabim duke hequr qafe personelin kryesor nga regjimi i vjetër, si Bruce Buck dhe Marina Granovskaia, pas blerjes së klubit prej 2.5 miliardë dollarësh në maj.
“Unë e njihja këtë klub me një klas të caktuar gjatë epokës së Abramovichit, por më duket se mungon tani”, tha Drogba. “Është shumë e vështirë për mua të shoh se si i hoqën qafe disa njerëz. Ata duhet të kthehen te parimet dhe vlerat që kishin. Nuk e njoh më klubin tim”.
Boehly po e mëson rrugën e vështirë në vitin e tij të parë në futboll. Ai erdhi si kryetar, pastaj mori kompetencat e drejtorit sportiv të klubit, duke u ngarkuar me blerjen e lojtarëve. Pas humbjes 2:1 të Chelseat ndaj Brightonit të shtunën e shkuar, Boehly iu drejtua lojtarëve duke u thënë se edicioni kishte qenë “i turpshëm”.
Prioriteti i Boehlyt do të jetë emërimi i një trajneri të përhershëm, me gjermanin Julian Nagelsmann në mesin e favoritëve. Vetëm pas kësaj mund të vendoset një strategji për sezonin e ri. Trajneri i ri do të vendosë se cilët lojtarë do t’i mbajë në skuadër. Transferimet si Raheem Sterling, Kalidou Koulibaly dhe Mykhailo Mudryk kanë dështuar. Mbetet të shihet se a do të kthehet Romelu Lukaku në skuadër pas huazimit tek Interi, si dhe a do ta vazhdojnë bashkëpunimin me Mason Mount e N’Golo Kante.
“Një gjë pozitive është se ka lojtarë të mirë në skuadër, por nga ana tjetër ka gjithmonë lojtarë që do të jenë të pakënaqur. Trajneri mund të zgjedhë vetëm 11 nga një skuadër prej 30 lojtarëve dhe kjo është e vështirë”, pranoi Silva.
Kjo është situata me të cilën përballet Lampardi në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit dhe potencialisht edhe trajneri i ri. Për Boehly ka një ndjenjë se puna e vështirë fillon tani.