Ardhja e Erling Haalandit i ka dhënë Manchester Cityt një nga golashënuesit më të frikshëm që është parë ndonjëherë në futbollin anglez. Me praninë e tij, Haaland i mundësoi trajnerit Pep Guardiola të evoluojë qasjen e tij taktike në ndeshjet më të mëdha. Guardiola gjithmonë do të preferojë që skuadrat e tij të dominojnë në posedimin e topit.
“Ndoshta një ditë do të ndryshojnë rregullat”, tha ai, “por unë mendoj se për të shënuar një gol ju duhet topi”.
Guardiola nuk është më i lidhur me filozofinë e bazuar në zotërimin e topit, që ishte shenjë dalluese e kohës së tij të mbushur me trofe te Barcelona, si dhe në periudhat te Bayern Munichu e City. Kjo mund të dëshmohet me ndeshjet më të rëndësishme të Cityt këtë edicion. Në një ndeshje në udhëtim kundër rivalit për titullit të Premier Leagues, Arsenalit, në muajin në shkurt, City kishte vetëm 36 për qind të posedimit të topit. Ishte shifra më e ulët e skuadrës në 11 vjet. City fitoi me rezultatin 3:1.
Në dy ndeshjet kundër Bayernit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, City kishte 44 për qind të posedimit të topit në shtëpi javën e kaluar dhe 42 për qind në Gjermani të mërkurën mbrëma. City fitoi 3:0 dhe më pas barazoi 1:1 për të kaluar në gjysmëfinale të Championsit. Kjo qasje e Guardiolas nuk është rastësi pasi trajneri spanjoll duket se po bëhet më pak kokëfortë për stilin e futbollit për të cilin është bërë kaq i njohur. Ai mund ta çojë ende Cityn drejt trofeut të parë të Ligës së Kampionëve.
“Në Champions ne kemi mësuar nga gabimet tona të së kaluarës”, tha mesfushori i Cityt, Bernardo Silva. “Më parë ne mendonim se duhej të dominonim lojën për 90 minuta, por tani kemi një qasje tjetër. Por në këtë garë, kur luan kundër Bayernit, Parisit, Realit, Liverpoolit, duhet të pranosh se ka raste kur duhet të mbrohesh dhe kjo është ajo që jemi përpjekur ta bëjmë”.
Ndikimi i Haalandit në ekip nuk mund të nënvlerësohet. Sulmuesi norvegjez nuk bën presion si sulmuesit e mëparshëm të Cityt, Gabriel Jesus apo Sergio Aguero. Ajo që ofron, veçanërisht në ndeshjet e mëdha, është një prani shkatërruese në kundërsulm me forcën dhe ritmin e tij. Goli i Cityt kundër Bayernit të mërkurën e tregoi këtë. Kjo është arsyeja pse shanset e skuadrës angleze për të fituar atë titull të pakapshëm të Ligës së Kampionëve janë rritur.
Guardiola ka kaluar pjesën më të madhe të këtij edicioni duke u përpjekur të gjejë strategjinë dhe qasjen e duhur për të akomoduar Haalandin, duke marrë parasysh që City luajti kryesisht pa sulmues tipik sezonin e kaluar dhe arriti ta fitojë titullin në Premier League. Trajneri spanjoll ka prezantuar një sistem që e sheh Cityn të luajë një formacion lëvizës, ku qendërmbrojtësi Stones luan në mesfushë kur ekipi ka topin (3-2-5) dhe kthehet në mbrojtje kur nuk e ka topin (4-1-4-1). Kjo i jep Cityt më shumë opsione në situata sulmi pa e lënë skuadrën shumë të hapur për kundërsulme.
Silva tha se lojtarët e Cityt më në fund janë përshtatur me ndryshimin e sistemit. City nuk di për humbje në 15 ndeshjet e fundit, duke fituar 12 prej tyre dhe është ende në garë për “tripletën” – Premier League, Champions, Kupa FA.
“Ju e dini se si është Pep. Ai gjithmonë krijon diçka ndryshe. Ai ndryshoi mënyrën se si ne luajmë këtë sezon dhe kemi bërë shumë mirë”, shtoi Silva.
City është para një kohë të vështirë. Fillon me një ndeshje gjysmëfinale të Kupës FA kundër Sheffield Unitedit të shtunën, më pak se 72 orë pas duelit me Bayernin. Më pas vjen vizita e Arsenalit në një ndeshje që mund ta vendosë titullin e kampionit të Anglisë, ndërkohë që ka dy përballjet me Real Madridin në Champions në mes të muajit maj.
Me Haalandin e pamëshirshëm përpara portës dhe Guardiolan që demonstron aftësinë e tij për ndryshim, City mund të ketë një edicion për t'u mbajtur mend.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.