Memphis Grizzlies e ka barazuar serinë në 1:1 ndaj Los Angeles Lakersit në rundin e parë të plejofit në NBA.
Në ndeshjen e dytë, Grizzlies triumfuan sigurt 103:93.
Xavier Tillman me 22 pikë e 13 kërcime ishte më i dalluari në fitoren e Grizzlies. Ndërsa 28 pikët e 12 kërcimet e LeBron James nuk mjaftuan për fitoren e Lakersit.
Dy ndeshjet e ardhshme do të luhen në arenën e Lakers.
Milwaukee Bucks e ka mposhtur Miami Heatin 138:122 dhe kështu ka barazuar serinë në 1:1, edhe pse ishte pa basketbollistin kryesor Giannis Antetokounmpo.
Bucks e përfunduan pjesën e parë me epërsi prej gati 30 pikësh dhe nuk e diskutuan fitoren në asnjë moment.
Brook Lopez me 25 pikë e Jrue Holiday me 24 ishin të dalluarit e Bucks, ndërsa Jimmy Butler i Heatit kontribuoi me 25 pikë.
Denver Nuggets e çoi në 2:0 epërsinë ndaj Minnesota Timberwolves, duke triumfuar 122:113.
Jamal Murray shkëlqeu për Nuggetsin me 40 pikë. Anthony Edwards i Timberwolvesit shpërtheu me 41 pikë, por të pamjaftueshme për të shkaktuar befasi.
Skuadrat që fitojnë katër ndeshje kualifikohen tutje.