Sport

Më shumë rekorde për “përbindëshin” Haaland

Descriptive Text

Makineria e golave te Manchester City, Erling Haaland, vendosi një tjetër rekord të martën mbrëma, duke u bërë lojtari i parë nga Premier League që shënon 45 herë në një edicion të vetëm. Dhe norvegjezi padyshim do të arrijë më shumë në edicionin e tij të parë në Angli.

Haalandi kurorëzoi një paraqitje të jashtëzakonshme të Cityt me golin e tretë në fitoren 3:0 ndaj Bayern Munichut, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ai i kaloi 44 golat që Ruud van Nistelrooy i Manchester Unitedit dhe Mohamed Salah i Liverpoolit shënuan për skuadrat e tyre në edicionet 2002/03 dhe 2017/18. Por rekordin e arriti me vetëm 39 ndeshje, 13 më pak se Van Nistelrooy dhe Salah.

Lojtari i fundit i ligës angleze që shënoi më shumë gola në një edicion të vetëm ishte Clive Allen për Tottenhamin në edicionin 1986/87, kur realizoi 49 gola. Ky do të jetë objektivi i ardhshëm i Haalandit, ashtu si edhe pesë golat që i nevojiten për të thyer rekordin e Alan Shearerit dhe Andy Colet me 34 gola në një kampanjë në Premier League.

Me Cityn që ende ndjek tre trofe, pyetja është se sa gola do t’i shënojë Haalandi deri në fund, nëse nuk lëndohet. Me ritmin aktual, shifra e 60 golave të realizuar në këtë edicion mund të duket e arritshme. Por 73 golat e Lionel Messit për Barcelonën në të gjitha garat në edicionin 2011/12, përfshirë 50 në La Liga, mund të jenë thjesht të paarritshme.

“Çdo skuadër duhet të ketë frikë nga ky lojtar sepse është thjesht një përbindësh. Ai është një bishë”, pranoi ish-sulmuesi i Bayernit dhe Gjermanisë, Mario Gomez.

Goli i 45-të ishte gjithashtu rekord personal për 22-vjeçarin, që shënoi 44 gola në edicionin 2019/2020 (28 për Salzburgun dhe 16 për Borussia Dortmundin). Ishte gjithashtu goli i 11-të në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Haaland është vetëm një gol prapa rekordit për lojtarët e Premier Leagues, që e mban Van Nisterlrooy me 12 gola në këtë garë në edicionin 2002/03.

Nëse Haalandi vazhdon të shënojë gola dhe arrin ta thyejë rekordin e Cristiano Ronaldos me 17 gola në Ligën e Kampionëve në një sezon të vetëm, atëherë City mund ta festojë trofeun më të madh të Evropës për herë të parë në histori të klubit.

“Haalandi na jep besimin se është sulmuesi që na ka munguar vitet e fundit, pasi ka një qëndrim vrasës. Njerëzit si ai kanë lindur për të fituar trofe si Liga e Kampionëve. Kështu që Haalandi mund t’ia sigurojë Cityt këtë trofe”, shtoi Gomez.