Kosova është edhe zyrtarisht në mesin e shteteve kandidate për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030.
Lajmin e ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas një takimi që pati me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqin.
Kurti ka thënë se kjo kandidaturë do të shënojë një moment historik të zhvillimit të sportit në Kosovë.
Ai po ashtu bëri të ditur se është arritur marrëveshja me Shqipërinë që ky eveniment sportiv të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar, për sportet që kërkojnë qasje në det.
"Organizimi i Lojërave Mesdhethare 2030 në Kosovë do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor e jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhethare të vetmet e organizuar në Ballkan janë ato të vitit 1979 në Split të Kroacisë. Lojërat 2030 shënojnë edicionin e 21-të të ngjarjes multisportive që bën bashkë sportistë e qytetarë të 26 shteteve, të tri kontinenteve që preken nga ujërat e Detit Mesdhe. Përkundër që Kosova është e rrethuar me dhe e male, për të gjitha sportet që kërkojnë qasje në det ne jemi pajtuar me Shqipërinë që do të organizohen në brengdet shqiptar. Qeveria e Kosovës ka identifikuar qartë vizionin për zhvillim të sportit në vendin tonë. Ashtu siç e kam thënë më herët, sporti e aktiviteti fizik janë prioriteti ynë shtetëror", tha Kurti. "Koncepti i organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë 7 komunat më të mëdha në vend. Përmes këtij koncepti do të sigurojmë trashëgimi të qëndrueshme të këtij investimi dhe njëkohësisht ndikimi do të ndjehet ndjehet në çdo cep të vendit tonë".
Kurti ka thënë se buxheti pë sportin është rritur 200 për qind krahasuar me vitin 2019 dhe 2020.
"Buxhetin e federatave e gjetëm me 3 milionë euro, e sivjet kemi ndarë 8 milionë euro", tha Kurti.
E kreu i KOK-ut, Ismet Krasniqi, falënderoi kryeministrin Kurti e ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku për mbështetjen që të kandidohet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.