Anglia ka vazhduar me sukses në start të kualifikimeve për Evropianin 2024.
“Tre Luanët” të dielën në “Wembley” mposhtën Përfaqësuesen e Ukrainës me rezultatin 2:0, falë golave të shënuar nga Harry Kane dhe Bukayo Saka.
Të udhëhequrit e Gareth Southgatet në ndeshjen e kaluar mposhtën Italinë në udhëtim, për herën e parë që prej vitit 1961.
Anglia golit të parë iu gëzua në minutën e 37-të.
Sulmuesi i Tottenhamit realizoi për golin e 55-të me fanellën e Anglisë. Ai u asistua nga Saka.
Pesë minuta para fundit të pjesës së parë, Saka shënoi vetë për rezultatin përfundimtar 2:0.
Kjo ndeshje i ka takuar Grupit C kualifikues për “Euro 2024”. Në këtë grup, Anglia prin me gjashtë pikë.