Sport

Rashica thotë se Kosova meritoi më shumë

Futbollisti i Galatasarayt, Milot Rashica, ka thënë pas ndeshjes me Izraelin se Kosova meritoi më shumë nga kjo përballje.

Kosova mori një pikë, por Rashica e pati një mundësi shumë të mirë shënimi fare në fund. Ai gjuajti lart dhe ndeshja u mbyll 1:1.

“Në fund po të shënoja gol do ta mbyllnim këtë histori në mënyrën më të mirë të mundshme. Kisha dëshirë të shënoja shumë e të ktheheshim me tri pikë. Ashtu siç shkoi loja, mendoj se merituam më shumë. Ka hapësira për përmirësim pas çdo ndeshjeje. Në pjesën e parë i lejuam kundërshtarit të krijonte disa raste. Ata patën raste shumë të mira që do të mund të na penalizonin. Në pjesën e dytë luajtëm shumë mirë. Patëm rastet tona, mund ta fitonim lojën. Për momentin jam duke kaluar periudhë të mirë edhe me klubin dhe po mundohem të jap maksimumin me Kosovën. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, ka deklaruar Rashica.