Sport

Toney merr thirrje nga Anglia, ndonëse mund të pezullohet

Gareth Southgate

Me mundësi të madhe pezullimi për shkak të shkeljes së rregullave të lojërave të fatit, Ivan Toney ka marrë thirrje nga Anglia për ndeshjet kualifikuese të Evropianit në muajin mars. Toney është golashënuesi i tretë më i mirë në Premier League këtë edicion, me 16-të gola të shënuar për Brentfordin këtë sezon. Vetëm Erling Haaland dhe Harry Kane kanë shënuar më shumë gola.

E ardhmja e tij është në dyshim pasi mund të përballet me pezullim të gjatë, pasi ka thyer 262 rregulla të Federatës së Futbollit të Anglisë në lidhje me lojërat e fatit. Këto akuza janë prej vitit 2017.

Pavarësisht kësaj, përzgjedhësi Gareth Southgate e selektoi Toneyn si një prej gjashtë sulmuesve në listën e 25 lojtarëve për ndeshjet kundër Italisë dhe Ukrainës. “Fakti pse e kam ftuar është sepse ai po luan me klubin e tij.

Nuk është mbajtur ndonjë gjykim ndaj tij dhe nuk e di në çfarë baze nuk do të duhej ta thërrisnim atë”, tha Southgate të enjten.

Këto do të jenë ndeshjet e para të Anglisë qëkur skuadra u mposht nga Franca në çerekfinale të Botërorit në muajin dhjetor.

Anglia luan në udhëtim te Italia më 23 mars, ndërsa tre ditë më vonë e pret Ukrainën.