Teksa Erling Haaland është përshtatur me bashkëlojtarët te Manchester City, buzëqeshja e yllit norvegjez i dha Pep Guardiolas përsëri besimin se sulmuesi i lakmuar nga skuadrat e tjera, është ende i lumtur në klub. Guardiola ka folur për Haalandin përpara ndeshjes vendimtare të së martës në Ligën e Kampionëve me Leipzigun.
Kur Haaland realizoi penallti të vonshme për fitoren 1:0 të Cityt kundër Crystal Palacet në Premier League, të shtunën e shkuar, ai festoi me një rrëshqitje të gëzueshme nëpër fushën e lagur nga shiu në stadiumin “Selhurst Park”. Mes raporteve se Paris Saint-Germaini dhe Real Madrid po planifikojnë oferta marramendëse për Haalandin në fund të këtij edicioni, reagimi i 22-vjeçarit pas golit të fitores kundër Palacet ishte një pamje e mirëpritur për Guardiolan.
Haaland ka shënuar 28 herë në Premier League dhe ka shënuar 34 gola në të gjitha garat që kur iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmund në maj të vitit të shkuar. Ai mbetet në rrugë për të thyer rekordin e golave në Premier League për një sezon të vetëm, të mbajtur nga Alan Shearer dhe Andy Cole, të cilët shënuan 34 gola për Blackburnin dhe Newcastlen. Edhe pse shifrat sugjerojnë se gjithçka është mirë me sulmuesin dhe ekipin e tij, kritikët ndonjëherë kanë nxjerrë pamje të ndryshme. Ka pasur pyetje të theksuara në lidhje me aftësinë e Guardiolas për ta bërë Cityn të përshtatet me talentin unik të Haalandit dhe problemet e vetë sulmuesit me përshtatjen me stilin e lojës së kampionëve.
Herë pas here Haaland është lënë i izoluar dhe i rrethuar nga mbrojtësit gjatë periudhave të gjata të zotërimit të skuadrës së tij. Me Cityn pesë pikë pas Arsenalit në garën për titull në Angli, Liga e Kampionëve mund të ofrojë shansin më të mirë të ekipit të Guardiolas për një fund të paharrueshëm të sezonit.
City nuk e ka fituar kurrë garën elitare të Evropës për klube dhe duhet të eliminojë Leipzigun, me të cilin barazoi 1:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Gjermani. Guardiola do të ketë nevojë për Haalandin dhe ai këmbëngul se nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në angazhimin e sulmuesit.
“Mënyra se si ai i feston golat personalë dhe golat e shokëve të tij tregon se sa i lumtur është këtu dhe se si jemi ne me të dhe personalitetin e tij. Kur ky djalosh nuk shënon, njerëzit e kritikojnë. Por, ai është gjithmonë aty dhe shifrat e tij flasin vetë”, insistoi Guardiola. “Një nga atributet më të mëdha që kam zbuluar duke e njohur atë dhe duke punuar së bashku është fakti se ai mund të humbasë një shans, por nuk është i trishtuar pasi e pret rastin tjetër. Ai po mendon pozitivisht, ai e di se do të ketë shansin, ai e di se do të jetë atje. Dhe ky është një atribut i jashtëzakonshëm i tij si futbollist”.
Guardiola ishte i gatshëm të pranonte dhimbjet në rritje që përjetoi që nga transferimi i Haalandit, duke shtuar: “Ajo që do të dëshiroja kur të mbarojmë periudhën tonë së bashku është që ai të përmirësojë lojën. Të kuptojë se si ai mund të përfshihet në lojën tonë, jo vetëm duke e futur topin në rrjetë”.
Haaland është i vetëdijshëm për presionin për të përballuar zhurmën që e pa atë të vlerësohej finalizuesi më i mirë në Evropë pas mbërritjes në Manchester. Duke mos treguar asnjë shenjë të dëshirës për të ikur në Paris ose Madrid, të paktën për momentin, Haaland tha: “Sigurisht që nuk më pëlqen të humbas shanset. Unë bëj punën time si çdo ndeshje, fokusohem në lojën time. Nuk është aq keq, ne duhet të vazhdojmë. Siç thashë nuk është e lehtë, por unë jam vërtet krenar që jam pjesë e Cityt”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.