Sport

Hadërgjonaj tregon për tmerrin që përjetoi ekipi tij nga tërmeti

Florent Hadërgjonaj nuk luajti ndeshjen e fundit për Kasimpashan të dielën në qytetin e Hatayt që të hënën u prek nga një tërmet shkatërrues.

Kasimpasha e humbi ndeshjen ndaj Hataysporit (1:0), por Hadergjonaj tregoi se ekipi kishte qëndruar në njërin prej hoteleve të qytetit të prekur nga tërmeti.

“Ekipi ishte pikërisht në mes. Në orën katër të mëngjesit, grupi i ekipit ishte i mbushur plot me mesazhe që u thoshin të largoheshin nga hoteli”, ka treguar për “20min.ch” mbrojtësi 28-vjeçar të martën.

Ai ka theksuar se ekipi tij ishte me fat. Hadërgjonaj të dielën qëndroi në Stamboll për shkak të një lëndimi.

Por, ka treguar komunikimin që ka pasur me shokët e skuadrës. “Shokët e mi të skuadrës ishin shumë me fat. Gjithçka përreth qytetit ishte shembur. Tërmeti zgjati rreth dy minuta. Ekipi më pas u nis me vetura për në Adana, rreth dy orë e gjysmë larg dhe prej andej fluturoi për në Stamboll”, ka theksuar mbrojtësi i Kosovës.

Nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti të hënën është nxjerrë i gjallë futbollisti ganez i Hataysporit, Christian Atsu.