Sport

Me të artën në Paris, Distria vazhdoi serinë e jashtëzakonshme

Francezja Amandine Buchard ka pasur përkrahje të jashtëzakonshme të shtunën, në ditën e parë të Grand Slamit të Parisit. Mijëra shikuesit në arenën “Bercy” kanë thirrur shpesh emrin e xhudistes franceze.

Por kjo përkrahje nuk i ka kryer shumë punë Buchardit në përballjen gjysmëfinale. Jo se ajo nuk e kishte nivelin e duhur, por për faktin se përballë e kishte Distria Krasniqin, xhudisten e pandalshme kosovare.

Distria nuk është rrezikuar asnjëherë nga Buchard dhe me dy hedhje për uazari ka siguruar fitoren. Më pas Distria e mposhti bindshëm edhe hungarezen Reka Pupp në finale, për triumf tjetër në Grand Slamin e Parisit, garën më prestigjioze të xhudos. Në fund fitoi edhe përkrahjen e shikuesve francezë, njohës të mirë të xhudos.

Gjatë tërë ditës Distria nuk është rrezikuar asnjëherë nga kundërshtaret. Ishte bartëse e parë, shënoi katër fitore, bëri figurën e shqiponjës dykrerëshe pas finales dhe zuri me krenari vendin e merituar në shkallën më të lartë të podiumit.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka vlerësuar mjeshtërore paraqitjen e Krasniqit. Ajo ndaj Puppit në finale realizoi uazari që në nismë, ndërsa më pas u mbrojt me sukses deri në fund.

“Niveli i Distria Krasniqit këtë herë ishte i pakrahasueshëm”, ka shkruar IJF.

Ndërkohë Unioni Evropian i Xhudos ka shkruar se Distria nuk ka pasur fare telashe dhe se ka kaluar lehtë nëpër kategori.

Për të ishte fitorja e parë ndaj Buchardit. Vjet francezja e kishte mposhtur në finale të Parisit dhe më pas në Evropian. Por Distria natyrisht ka mësuar nga ato humbje dhe nuk u ndie fare e rrezikuar të shtunën.

“Çdo humbje për mua është mësim. Sot ishte dita ime”, ka thënë Distria Krasniqi.

Në vitet e fundit Distria ka humbur shumë rrallë në fakt.

Gara e fundit në të cilën mori pjesë e nuk fitoi medalje ishte Grand Slami në Baku, në fillim të nëntorit të vitit 2021. Vjet ka fituar medalje në secilën garë ku mori pjesë. Dhe me të artën në Paris ka vazhduar ecurinë e jashtëzakonshme.

Medalje të arta vjet fitoi në Grand Prix të Portugalisë, në Grand Slam të Tbilisit, në Lojërat Mesdhetare dhe në Masters. Medalje të argjendta kishte fituar në Grand Slam të Parisit dhe në Grand Prix të Zagrebit. Ndërsa medalje të bronzta kishte në Evropian e në Botëror. Gara pa medalje – zero.

Në Grand Slam të Parisit, 27-vjeçarja i ka gjashtë medalje, prej tyre dy të arta. Gjithsej në garat e nivelit Grand Slam, Distria i ka katër të arta, tri të argjendta e tri të bronzta. Garat Grand Slam janë prej më të vlerësuarave në xhudo. Vetëm Mastersi ka vlerë më të madhe, natyrisht pa llogaritur këtu Botërorin dhe Lojërat Olimpike.

Në Paris kanë garuar edhe Loriana Kuka, Laura Fazliu dhe Flaka Loxha. Nuk kanë fituar medalje këtë herë. Xhudistët e Kosovës vazhdojnë garat menjëherë pas dhjetë ditësh. Në Tel-Aviv do të mbahet Grand Slami i ardhshëm.