Skuadrat angleze kthehen me ndeshje të Premier Leagues, pas angazhimit në Kupën FA fundjavën e kaluar.
Do të zhvillohet xhiroja e 22-të në elitën e futbollit të Anglisë, ndërsa lideri, Arsenali, do të luajë në “Goodison Park” kundër Evertonit, që është bërë me trajner të ri.
Ky ballafaqim zhvillohet të shtunën në orën 13:30.
Sean Dyche do të mundohet ta këndellë Evertonin dhe ta shpëtojë nga rënia.
Evertoni po e synon fitoren e tretë rresht në shtëpi kundër Arsenalit, që nga ky udhëtim ka marrë vetëm dy fitore në dhjetë ndeshjet e fundit në elitën e futbollit anglez.
Në përgjithësi, Arsenali ka fituar ndaj Evertonit 99 herë në ligë. Asnjë skuadër nuk ka regjistruar 100 fitore kundër një kundërshtari në elitën angleze të futbollit.
Ekipet vijnë me formë krejtësisht të kundërt.
Skuadra lidere e Premier Leagues që drejtohet nga Mikel Arteta i ka fituar shtatë nga tetë ndeshjet e fundit. Kurse Evertoni ka pësuar gjashtë disfata në shtatë ndeshje së fundi.
Arsenali është i pari në tabelë me 50 pikë, pesë më shumë se Manchester City i vendit të dytë.
Evertoni është në pozitën e parafundit me 15 pikë.
Arsenali është në kërkim të titullit të parë që prej edicionit 2003-04, me Granit Xhakën si lojtar shumë të rëndësishëm.
Te skuadra e Arsenalit mund të debutojë Jorginho, që u transferua nga Chelsea.
Evertoni, që ishte skuadra e vetme angleze pa asnjë transferim në afatin kalimtar të janarit, rrezikon qëndrimin në Premier League, ani pse në këtë rang garash ka qëndruar për 69 vjet.
Trajneri Dyche po shihet si shpëtimtar.
Derbi i këtij vikendi zhvillohet të dielën nga ora 17:30. Tottenhami luan me Manchester Cityn, kampionin në fuqi.
Për trajnerin e Cityt, Pep Guardiola, do të jetë ndeshja e parë pa Joao Cancelon, i cili u huazua te Bayerni.
City dhe Tottenhami ishin takuar edhe më 19 janar në ndeshjen e mbetur të xhiros së shtatë të Premier Leagues. City fitoi me përmbysje të rezultatit, 4:2.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.