Selektori i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, Afrim Tovërlani, ka thënë se nuk ia ka frikën asnjë kundërshtari të grupit në kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2025. Tovërlani ka theksuar se Kosova ka gjasat e saj për kualifikim në Evropianin që do të mbahet në Sllovaki.
Shpresat e Kosovës janë në grupin D së bashku me Gjermaninë, Poloninë, Izraelin, Bullgarinë dhe Estoninë. Shorti është tërhequr të enjten në Nyon të Zvicrës. Kosova ishte në vazon e pestë.
“Larg asaj për të nënçmuar ndonjë ekip, por mendoj se jemi në situatë për të mos iu frikësuar asnjë kombëtareje. Ne do të bëjmë më të mirën. Shpresoj të mos kemi lëndime dhe ta kemi grupin e shëndoshë, duke insistuar të luftojmë për një pozitë sa më të mirë. Duhet ta dimë se kualifikimet e fundit na e kanë bërë punën më të vështirë sepse kemi rënë në vazon e pestë. Pra, e theksoj edhe një herë, as nuk e nënçmojmë askënd dhe as nuk i frikësohemi askujt. E kemi një grup të mirë të futbollistëve. Shpresoj që ata të kenë minutazhë më të madhe në klubet e tyre. Jam shumë i bindur se do të kalojmë mirë në këtë grup”, ka thënë Tovërlani pas shortit, për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Tovërlani në krye të Kosovës U21 erdhi në shtator të vitit të kaluar. Pak ditë pas prezantimit, mbajti një kamp përgatitor në Antalia. Në Turqi, Kosova i fitoi dy ndeshjet miqësore, por jo ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë. Fitoi ndaj seleksionit të Grenlandës, 1:0, dhe ndaj skuadrës turke, Dosemealti Antalya, me rezultat bindës, 4:0.
Kosova me Gjermaninë dhe Izraelin ishte përballur edhe në kualifikimet për “Euro 2019”. Pati përfunduar në vendin e pestë me 12 pikë, tri më pak se Norvegjia që përfundoi e dyta. Gjermania pati përfunduar në vendin e parë me 25 pikë.
Cikli i parë i udhëhequr nga selektori Rafet Prekazi u vlerësua të jetë i suksesshëm, ndonëse nuk arriti të kualifikohet. Përballja me Gjermaninë përmendet ende si e denjë.
Edhe në ciklin e dytë, në grup me Anglinë, Çekinë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën, Kosova fitoi 12 pikë. Zuri vendin e katërt, por ishte dhjetë pikë prapa përfaqësueses së vendit të dytë, Çekisë. Anglia pati mbyllur kualifikimet në vendin e parë me 25 pikë.
Ciklin e ri kualifikues për “Euro 2022”, Kosova e nis në shtëpi kundër Estonisë. Ndeshja do të luhet më 20 qershor.
Kualifikimet nisin në mars, ndërsa përfundojnë në tetor të vitit të ardhshëm. Përfaqësueset e 52 shteteve janë të ndara në nëntë grupe dhe luftojnë për 15 vende që dërgojnë në Evropianin e vitit 2025.
Ndërkohë, Shqipëria është në grupin E së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.