Sport

Sfidat e Besës në 100-vjetorin e themelimit

Një tabelë e vendosur në fillim të një rrugice në periferi të Pejës, përkatësisht në Brestovik, tregonte rrugën drejt “selisë” aktuale të klubit të futbollit Besa. Rreth 100 metra tutje është fusha ku një prej klubeve më të mëdha në Kosovë ka disa vjet që zhvillon ndeshjet.

Aktualisht Besa garon në nivelin e ulët të futbollit kosovar, në Ligën e Dytë, përkatësisht në kategorinë e tretë. Për më tepër, Besa është e fundit në tabelë me vetëm katër pikë nga 15 ndeshje. Besa në vjeshtë ka luajtur me juniorë dhe ka pësuar humbje turpëruese. Në raste mezi ka mbledhur edhe tetë lojtarë, pak mbi minimumin e kërkuar për të nisur ndeshja.

Niveli ku luan dhe rezultatet e vjeshtës janë në kontradiktë me namin e Besës së Pejës.

Klubi pejan është përballur me krizë të thellë materiale e organizative në vitet e fundit. Dhe kjo solli rënien në nivelin e tretë. Por në klub shpresojnë se më e keqja ka kaluar.

Te Besa, që këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit, tani gjendja dhe disponimi janë më ndryshe.

Besa së fundi ka dhënë shenjat e para të organizimit dhe ka filluar fazën përgatitore për stinorin pranveror. Në krye të shtabit teknik është ikona e futbollit pejan, Haxhi Zeka. Klubi është përforcuar me disa lojtarë nga klube të ndryshme të rrethit të Pejës.

Një prej personave të paktë që është angazhuar në riorganizimin e klubit është Adis Salihi. Ai mban postin e drejtorit sportiv, kurse të enjten kur KOHA ishte në vizitë, angazhohej edhe në stërvitje.

“Në kohën e pushimit kemi bërë çmos dhe kemi punuar shumë për të ardhur deri te ky organizim që e kemi sot. Është dita e pestë që kemi nisur përgatitjet. Organizimi është i mirë sa i përket anës sportive. Për anën financiare nga shumë njerëz qasja është shumë pozitive prej qytetarëve të Pejës, Komunës, diasporës, dashamirëve të sportit, ish-futbollistëve të Besës të cilët do të mundohem t’i afroj afër klubit. Do të ishte e mirëseardhur për ne ndihma në çfarëdo forme nga ish-futbollistët e Besës”, ka thënë Salihi.

Atij i vjen keq që Besa ka prekur fundin. Thotë se rënia nuk është humbje vetëm për Pejën, por për gjithë Kosovën.

“Është shumë e dhimbshme jo vetëm për qytetin dhe futbollistët e Pejës, por për të gjithë Kosovën. Sivjet Besa feston 100-vjetorin e themelimit dhe mund ta marrësh me mend se sa është e dhimbshme për qytetarët e Pejës të shuhet një klub 100-vjeçar, klub i qytetit i cili ka nxjerrë shumë gjenerata. Ka qenë një ndër skuadrat që gjithmonë i ka dhënë shumë futbollit kosovar. Pastaj të shuhet një klub futbolli që ka pasur një gjeneratë të sakrificës për të mbetur gjallë dhe të vijë viti 2023 dhe të vijë deri te shuarja është me të vërtetë e dhimbshme, jo vetëm për Pejën, por edhe për krejt Kosovën besoj”, është shprehur Salihi.

Ai ka treguar dy synimet e mëdha të Besës. I pari thotë se ka qenë riorganizimi.

“Ndërsa i dyti mbijetesa. Me grumbullimin e fondit të lojtarëve, mendoj se do të mbijetojmë. Një gjë tjetër që kemi për synim është organizimi i klubit në mënyrë transparente dhe të sinqertë me qytetarët e Pejës, secilin fond dhe ndihmë që hyn në klubin e futbollit Besa, në mënyrë që të kthehet vetëbesimi te qytetarët, donatorët për klubin e futbollit Besa”.

Besa ka fituar titullin e kampionit në vitet 2005, 2006 e 2007. Kupën e Kosovës e ka fituar në vitet 2006, 2011 dhe 2017. Por ajo periudhë e lavdishme e Besës duket shumë e largët.

Këtë e pranon edhe Haxhi Zeka, që ka dhënë kontribut të madh në sukseset e Besës.

“Është me të vërtetë e dhimbshme sidomos për mua, pasi dihet kontributi im nga viti 2002 deri në vitin 2014. Dhe, për që vjen Besa në këtë gjendje shumë të vështirë, është shumë e dhimbshme. Më dhemb shumë dhe jam kthyer për t’i ndihmuar këta djem si trajner. Po bëhet një organizim për të mos u shuar ky klub, pasi me të vërtetë është gjynah kur dihet se kush ka qenë Besa dhe ku është tash Besa. Por shpresoj që me ndihmën e sponsorëve të kthehet afërsisht aty ku ka qenë”, ka thënë Zeka.

Zeka premton maksimumin që Besa të nisë të mbarën.

“Jemi grumbulluar për ta bërë më të mirën për Besën. Është stërvitja e parë që jam prezent dhe duke parë disa lojtarë nuk besoj se Besa do të ketë problem të bjerë nga liga. Shpresoj me punë dhe angazhim të mundohemi maksimalisht që Besa të paktën të mos e pësojë një tjetër rënie”.

Haxhi Zeka ishte një prej sulmuesve më të rrezikshëm në Kosovë. Ai mban edhe pozitën e drejtorit të stadiumit “Shahin Haxhiislami” në Pejë, që po ashtu është në gjendje të rëndë. Në stadiumin e qytetit në Pejë, Besa ka arritur sukseset historike. Stadiumi natyrisht ishte shtëpi e skuadrës.

“Ai stadium çdo të diel ka pasur nga 3 mijë apo 4 mijë shikues në kohën tonë, ndërsa tash i mungon qytetit. Prandaj të gjithë së bashku duhet ta kthejmë Besën aty ku ka qenë për t’u rikthyer në atë stadium”, ka thënë Zeka.

Një prej lojtarëve më me përvojë te Besa është Endrit Maloku. Ai thotë se qëllimi i parë është mbetja në Ligën e Dytë.

“Pas problemeve që i kemi pasur sezonin e kaluar dhe që kanë vazhduar tash e dy vjet, kemi bërë disa përforcime. Kemi afruar një numër të konsiderueshëm lojtarësh. Qëllimi kryesor është mbetja në ligë dhe vazhdimi duke u ngritur më lart”, ka thënë Maloku.

Bledian Ahmetaj tregon për vështirësitë që kanë pasur gjatë stinorit vjeshtor. Ai është 17-vjeçar, por ka bartur barrën kryesore.

“Për ne ka qenë jo e lehtë. Kemi pasur me U17, U19 dhe seniorë. Nuk ka qenë e lehtë të stërvitesh si lojtar i ekipit të parë. Jemi mundur ta japim maksimumin për ta ringjallur Besën. Ne si të rinj do ta japim maksimumin edhe në të ardhmen për ta kthyer Besën aty ku ka qenë më herët”, ka thënë Ahmetaj.

Besa nuk është klubi vetëm me nam që përballet me vështirësi financiare dhe organizative. Por asnjë nuk ka rënë më poshtë se ai.

VIDEO: