Sport

Tenistja amerikane nderoi Ukrainën pasi eliminoi kundërshtaren nga Rusia

Tenistja amerikane Katie Volynets i bëri nderime të përzemërta familjes së saj të gjerë në Ukrainë, pasi e eliminoi numrin nëntë të botës, rusen Veronika Kudermetova nga “Australian Open”, të enjten.

Kudermetova, e cila gjatë vitit 2022 ishte mahnitëse ku fitoi pothuajse 40 ndeshje, u mund nga 21-vjeçarja Volunets me rezultatin 6-4, 2-6, 6-2 në Margaret Court Arena. Ishte fitorja e parë e tenistes Volynets në nivelin e turneve Grand Slam në karrierë dhe e futi atë në rundin e tretë.

Prindërit e saj vijnë nga Ukraina, e cila u pushtua vitin e kaluar nga Rusia. Dhe Volynets ka ende familjarë në Ukrainë, kryesisht në kryeqytetin Kiev.

“Është vërtet një kohë e vështirë. Më parë të gjithë mund të lëviznin nëpër vend si të donin dhe të vazhdonin jetën”, tha Volynets. “Dhe tani jeta është në baza ditore. Ndihem keq vërtet për ta dhe të kem mbështetjen e tyre gjatë gjithë kësaj është e pabesueshme. Sa herë që dal në fushë shpresoj se po i mbështes edhe ata sepse mundohen t’i shikojnë ndeshjet dhe unë duhet të qëndroj e fortë për ta”.

E pyetur nëse ishte i veçantë triumfi ndaj dikujt nga Rusia, Volynets u përgjigj: “Unë do të thosha që kur futem në fushë përpiqem të lë mënjanë politikën dhe të fokusohem vetëm te tenisi. Duke thënë këtë, unë gjithmonë shqetësohem për familjen time në Ukrainë. Por unë nuk kam asgjë kundër lojtarëve të vendeve të tjera, në këtë rast Rusisë”.

Kudermetova ishte në garën e saj të parë si një lojtare e top-10. Ajo kishte arritur në çerekfinale në pesë turnetë e fundit. Për eliminimin e Kudermetovas, Volynets tha se ndihet krenare dhe ka emocione.

“Më jep të dridhura kjo fitore sepse tifozët këtu janë thjesht të jashtëzakonshëm. Nuk është lehtë që një lojtare sikur unë, e renditur në vendin e 113-të ta mposhtë një lojtare të Top-10. Kjo më bën të ndihem krenare. Unë kurrë nuk kam luajtur në një stadium të mbushur me kaq shumë njerëz që mbajnë energjinë time. Kjo është fantastike, sepse e pata përkrahjen e tyre të fuqishme”.

Kudermetova bëri 47 gabime ndaj Volynetsit, e cila pati vetëm 28. Volynets të gjitha meritat për këtë fitore, të cilën e quajti të madhe, ia la trajnerit të saj të ri, Henner Nehles. Volynets insistoi se Nehles ka ndryshuar tërësisht lojën e saj, gjë që u dëshmua ndaj tenistes ruse.

“E gjithë merita shkon për ekipin tim. Unë kurrë nuk jam ndier kaq e emocionuar për të punuar me një trajner më parë. Unë po vërej ndryshimin në lojën time dhe tani kam më shumë identitet. Pas këtij triumfi do të synoj të shkoj më larg në turne. Jam shumë e motivuar, sidomos pas fitores së fundit, e cila ka rëndësi për mua dhe familjen time”, insistoi ajo.

Volynets do të përpiqet të vazhdojë të shkojë sa më larg që të jetë e mundur në “Australian Open”. Në rundin tjetër, amerikania do të përballet me fituesen e meçit mes kinezes Zhang Shuai dhe kroates Petra Martiq.