Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë shifrat më të larta se çdo futbollist tjetër në nivel klubesh. Këto statistika janë të pranuara nga FIFA. Messi përgjatë karrierës së tij ka zhvilluar 68 mijë e 230 minuta gjithsej, në 833 ndeshje të luajtura.
Ka realizuar 696 gola, ndërsa ka 297 asistime. Fituesi i Botërorit me Argjentinën, Messi, ka regjistruar 48 “hat-tricka”. Ronaldo nga ana tjetër ka dukshëm më shumë minuta e ndeshje të luajtura. Në 949 ndeshje, ka 77 mijë e 344 minuta të zhvilluar.
Ka shënuar 701 gola dhe ka kontribuuar me 201 asistime. Fituesi i Evropianit me Portugalinë, Ronaldo, ka vetëm dy tregolësha më shumë të shënuar sesa argjentinasi Messi. Të dy lojtarët kanë dominuar në futboll në 15 vitet e fundit. Së bashku e kanë të fituar 12-të herë “Topin e Artë”.
Ronaldo dhe Messi luajnë kundër njëri-tjetrit për herë të parë që prej vitit 2020. Ishte dhjetori i atij viti kur Ronaldo me Juventusin, mposhti Barcelonën e Messit, 3:0, në ndeshjen e fazës grupore të Ligës së Kampionëve.