Pasi ndezi skenat më të mëdha të futbollit, Cristiano Ronaldo përballet me një realitet shumë më ndryshe në Arabinë Saudite, me stadiume më të vogla, ekipe më pak të forta dhe temperatura shumë të larta. Ronaldo, 37 vjeç, thotë se po përqafon “sfidën” e Ligës Saudite, që është një hap në të panjohurën për një lojtar që është mësuar më shumë me atmosferën e rrëmbyeshme të stadiumit të Real Madridit, “Santiago Bernabeu” ose “Old Trafford” të Manchester Unitedit.
Tranzicioni është lehtësuar nga 400 milionë euro që Ronaldo do të marrë në paga nga ekipi i tij i ri, Al Nassr, dhe një pagesë e veçantë për të vepruar si ambasador për të ndihmuar Arabinë Saudite të marrë organizimin e Kupës së Botës.
Gjithsesi do të jetë një ndryshim i madh për pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili së shpejti do të luajë në vende modeste, duke përfshirë stadiumin “Al Batin” me një kapacitet prej 6000 ulësesh. Pas një paraqitjeje në ndeshjen miqësore kundër rivalit të madh, Lionel Messit dhe Paris Saint-Germainit në kryeqytetin saudit Riad të enjten, Ronaldo do të bëjë debutimin në Ligën Pro me fanellën e Al-Nassr të dielën. Ai para se ta bëjë debutimin në ndeshje zyrtare tek Al-Nassr, do të jetë kapiten i ekipit të kombinuar në përballjen me PSG-në.
Liga me 16 ekipe do ta çojë Ronaldon nga Dammami në bregun e Gjirit në Jeddah në Detin e Kuq, si dhe qytetet provinciale të lidhura me shkretëtirën si Majma'ah dhe Hofuf, një qendër për industrinë e hurmave në Arabinë Saudite.
Derisa Al Hilal dhe Al Ittihad, gjigantët e futbollit saudit, luajnë në stadiumet me kapacitet prej 62,000 ulësesh, një pjesë e vogël e skuadrave të Pro Leagues kanë stadiume të vogla për më pak se 10,000 tifozë dhe disa fusha janë të rrethuara nga pistat e vrapimit.
“Ndonjëherë stadiumet nuk janë në gjendjen më të mirë”, tha Moqbel al-Zabni, kryeredaktor i gazetës “Al Riyadiah”, duke paralajmëruar se vendet bosh janë një pamje e zakonshme. “Pjesëmarrjet me të cilat është mësuar Ronaldo nuk do të ekzistojnë këtu. Ne nuk jemi mësuar t'i shohim stadiumet me kapacitet të plotë”.
Shtëpia e Ronaldos do të jetë stadiumi “Mrsool Park” i Al-Nassr me kapacitet 25,000 ulëse, i cili shtrihet në një kampus universitar në Riad dhe ishte i mbushur për prezantimin e tij madhështor në fillim të këtij muaji. Avionët e huazuar do ta bartin superyllin dhe shokët e tij të skuadrës në ndeshjet jashtë, thanë burimet e klubit, duke i kursyer atij udhëtimet e gjata me autobus nëpër peizazhin e shkretëtirës. Edicioni i Pro Leagues zhvillohet nga gushti deri në muajin maj, duke shmangur nxehtësinë më të madhe të verës, kur temperaturat zakonisht arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Edhe mbrëmjet, kur luhen shumë ndeshje, mund të shkojnë mbi 30 gradë në gusht e shtator, si dhe nga marsi deri në fund të kampionatit.
“Moti do të përbëjë një sfidë për Ronaldon, por unë mendoj se ai do të përshtatet dhe do të shkëlqejë në futbollin tonë”, shtoi Saleh al-Khalif, zëvendëskryeredaktori i “Al-Riyadiah”.
Arabia Saudite është një forcë në futbollin aziatik me gjashtë paraqitje në Kupën e Botës, duke përfshirë këtu edhe një fitore të famshme ndaj Argjentinës së Messit në edicionin e fundit në Katar.
Skuadrat Al-Hilal dhe Al-Ittihad kanë fituar gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve të Azisë. Me Ronaldon në përbërje, Al-Nassr do të ketë shpresa për t'u kualifikuar në garën e këtij viti dhe për t'u bashkuar me rivalët e mëdhenj. Edhe pse standardet e Pro Leagues nuk mund të përputhen me lartësitë e Anglisë, Spanjës dhe Italisë, ku Ronaldo e ka kaluar karrierën e tij deri më tani, sërish është një divizion konkurrues.
Liga e Arabisë Saudite filloi në vitin 1976, por ka 14 vjet që kur Pro League u bë liga më e mirë. Ka pasur gjashtë fitues të ndryshëm. Khalif tha se “forca dhe diversiteti” i ligës ishin të krahasueshme me futbollin anglez, duke këmbëngulur se nuk do të ishte një “shëtitje në park” për Ronaldon. Pro League është e mbushur me 128 lojtarë të huaj nga 48 vende të botës, me çdo ekip që e ka të lejuar të angazhojë nga tetë futbollistë.
Në Al-Nassr, ekip që stërvitet nga trajneri francez Rudi Garcia, bashkëlojtarët e Ronaldos janë ish-portieri i Arsenalit, David Ospina, dhe ish-mesfushori i Bayernit, braziliani Luis Gustavo. Detyra e parë e Ronaldos do të jetë të mbajë ekipin Al-Nassr në krye të ligës dhe të sigurojë titullin e parë në katër vjet. Por skuadrat e tjera do të jenë shumë të motivuara për ta ndaluar atë.
“Ronaldo është një legjendë dhe të gjitha skuadrat do të luajnë për të mundur Ronaldon”, tha Khalif.