Lifestyle

Truri nuk është krijuar për t’u vëzhguar kaq shumë, paralajmëron studimi

truri

Truri

Foto: Associated Press

Tashmë ndoshta njerëzit e dinë që janë nën vëzhgim. Ajo që klikojnë, çfarë blejnë, ku ndalen, me kë shoqërohen, e gjithë kjo gjurmohet. Telefoni e di. Aplikacionet e dinë. Kamerat e dinë. Por ajo që ndoshta nuk dihet, është se gjithë kjo mbikëqyrje e vazhdueshme mund të ndikojë thellë në mënyrën se si funksionon truri, ka shkruar Vice.

Studimi i ri sugjeron se ndikimi i të qenit i vëzhguar nuk shfaqet vetëm në sjelljen e njerëzve, por edhe në mënyrën se si mendojnë. Dhe ky ndryshim nuk është për mirë.
“Nëse këto procese mendore lodhen nga ndjesia se je i vëzhguar, duhet pritur që aftësia për t’u përqendruar të përkeqësohet”, ka shpjeguar psikologu Clément Belletier për Live Science.

Studiuesja e trurit Kiley Seymour dhe ekipi i saj në University of Technology Sydney testuan se si ndikon mbikëqyrja në përpunimin e pavetëdijshëm të informacionit në tru. Duke përdorur një teknikë të quajtur continuous flash suppression (CFS) (shkrepje të vazhdueshme me imazhe të shpejta) ata zbuluan se personat që mendonin se po përcilleshin, reagonin më shpejt ndaj disa imazheve të fshehta sesa ata që nuk ndiheshin të vëzhguar.
“Ndjenja e të qenit nën vëzhgim aktivizon tej mase mekanizmin e mbijetesës në tru”, ka thënë Seymour.

“Kjo pjesë e trurit është gjithmonë në kërkim të diçkaje që mund të shkojë keq për ty. Ajo ka një prirje drejt negativitetit”, ka shtuar doktoresha Kyra Bobinet, neuroshkencëtare e sjelljes, për Fox News Digital.

Truri nuk është projektuar për këtë nivel vëmendjeje

Edhe gjërat më të vogla që e bëjnë dikë të ndihet nën vëzhgim, si kontakti me sy apo disa forma të caktuara vizuale, mund të ndikojnë në të menduarit.
“Këto efekte nuk kanë të bëjnë vetëm me sytë. Janë efekte të lidhura me ndjesinë që dikush po të kushton vëmendje. Ne i quajmë ‘efekte të kontaktit mendor’. Është ideja që je bërë objekt i vëmendjes së dikujt”, ka thënë Clara Colombatto, studiuese e njohjes sociale në University of Waterloo.

Studime të mëparshme kanë mbështetur të njëjtën ide. Një studim i vitit 2011 tregoi se pjesëmarrësit kishin performancë më të dobët në teste të memories kur shikonin imazhe me shikime të drejtpërdrejta, në krahasim me ato me shikim të shmangur.

Ndërkohë, një tjetër studim në PLoS ONE zbuloi se edhe një foto me sy të vizatuar mjaftonte për të ndryshuar sjelljen e njerëzve në vende publike.

“Para 50 vjetësh nuk kishim këtë nivel mbikëqyrjeje apo lidhjesh sociale. Ky është një realitet i ri shoqëror me të cilin truri ynë po përpiqet të përshtatet. Duhet të reflektojmë seriozisht se si kjo do të ndryshojë mënyrën tonë të të menduarit, edhe në mënyra që nuk i kuptojmë plotësisht”, ka thënë Colombatto.

Ndaj, sipas ekspertëve, edhe kur dikush nuk e vëren, truri e ndien. Dhe ndryshe nga kamerat, ai nuk ka butonin “fik”.