Sport

E nënta rresht për Unitedin që fiton derbin e Manchesterit

Manchester Unitedi e ka fituar derbin e Manchesterit.

Unitedi të shtunën, në ndeshjen hapëse të xhiros së 20-të të Premier Leagues, mposhti Manchester Cityn me rezultatin 2:1. Ishte fitorja e nëntë rresht për “djajtë e kuq” që drejtohen nga Erik ten Hag.

Me këtë fitore hapet edhe gara për titull kampioni. Unitedi me 38 pikë në vendin e tretë, i afrohet vetëm një pikë vendit të dytë, në të cilën pozicionohet Manchester City.

Ndeshja në “Old Trafford” ishte e hapur dhe vendësit patën më shumë mundësi shënimi, por City kaloi i pari në epërsi.

Zëvendësuesit Jack Grealish iu deshën vetëm tre minuta lojë për ta shënuar golin e epërsisë për mysafirët. Ai u asistua nga Kevin de Bruyne.

Por, Unitedi u kthye dhe shënoi dy gola për katër minuta.

Shifrat i barazoi Bruno Fernandes në minutën e 78-të, gol për të cilin u protestua shumë nga skuadra e drejtuar nga Guardiola.

Në minutën e 82-të realizoi edhe Marcus Rashford për fitoren e madhe në derbin e Manchesterit.

Rashfordi u bë lojtari i parë i Manchester Unitedit që shënon në shtatë ndeshje rresht në të gjitha garat, që prej Cristiano Ronaldos në prill të vitit 2008.

Ndërkohë, trajneri i Cityt, Guardiola, pësoi humbje në ndeshjen e tij të 500-të si trajner në ligat elitare.

Ai ka 379 fitore gjithsej.