Kryeziu synon përmirësimin e rezultatit personal në Botëror

Kryeziu synon përmirësimin e rezultatit personal në Botëror

04 August 2017 22:26

Atleti Astrit Kryeziu do të ishte i kënaqur nëse do të arrinte të përmirësonte rezultatin personal në Kampionatin Botëror që nisi të premten në Londër dhe do të zgjasë deri më 13 gusht.

Kryeziu do ta përfaqësojë Kosovën në disiplinën 800 metra.

Në këtë kampionat do të marrin pjesë 2038 atletë nga 205 shtete. Kryeziu të shtunën do të paraqitet në garën e 800 metrave.

"Konkurrenca është shumë e madhe në Botëror, mirëpo ajo çka synoj është përmirësimi i rezultatit personal. Çdo kalim tutje është një sukses i madh", ka thënë Kryeziu për Kohën Ditore.

Edhe në Federatën Atletike të Kosovës presin që Kryeziu ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Nga atleti Astrit Kryeziu, i cili do të paraqitet në disiplinën 800 metra presim ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne si Federatë e Atletikës i dëshirojmë sukses në ngjarjen më të madhe të atletikës, atletit Astrit Kryeziu dhe seleksionuesit, Zijadin Kryeziu", thuhet në njoftimin e FAK-ut të premten.

Në Lojërat e teta frankofone të mbajtura në fund të muajit të shkuar në Abixhan të Bregut të Fildishtë, Kryeziu doli i katërti në disiplinën 800 metra me kohë 1:48.67.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme