Stadiumi kombëtar i Kepi të Gjelbër do të riemërohet me emrin Pele, ka thënë kryeministri i vendit të mërkurën. “Estadio Nacional de Cabo Verde” me 15,000 ulëse, i cili gjendet pak jashtë kryeqytetit Praia, do të bëhet “Pele Stadium”. Lajmi vjen pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, propozoi – ndërsa fliste në shërbimin përkujtimor të Peles në Brazil – që çdo vend të emërojë një stadium sipas legjendës së futbollit që vdiq më 29 dhjetor, në moshën 82-vjeçare.
“Si nderim dhe mirënjohje për këtë figurë që na bën të gjithëve të mrekullueshëm, manifestoj synimin për ta emërtuar stadiumin tonë kombëtar ‘Pele Stadium’, në një nismë që besoj se do të ndiqet nga disa vende të botës”, tha Ulisses Correira e Silva në një postim në Facebook. “Me zhdukjen fizike të Edson Arantes de Nascimento, mbretit Pele, i cili shpejt u bë një figurë planetare, një ikonë e masave që tregon se sporti ka fuqinë të bashkojë botën, tani është dëshira jonë ta nderojmë atë”. “T'i bëjmë haraç", shtoi.
Kryeministri Silva theksoi rëndësinë e Peles për vendet që flasin gjuhën portugeze, siç është Kepi i Gjelbër.
Ai shtoi se vendi i tij është i ngjashëm me Brazilin dhe për këtë arsye Pele është dhe mbetet i rëndësishëm. Pele, të martën mbrëma, u varros në qytetin e tij, Santos, në një ceremoni që u përshkrua me pikëllim të madh në të gjithë botën. Ai vdiq pas një beteje njëvjeçare me kancerin.
“Kepi i Gjelbër dhe Brazili kanë një histori dhe kulturë që shkojnë krah për krah, duke pasur parasysh se janë dy vende simotra, të lidhura nga gjuha dhe identitetet shumë të ngjashme. Pele ishte dhe do të jetë gjithmonë një referencë në Brazil, në vendet tona që flasin portugalisht dhe në pjesën tjetër të botës, duke qenë një idhull që lidh disa breza”, shtoi kryeministri Silva.
Pele vlerësohet se ka shënuar një rekord botëror prej 1.281 golave në 1.363 paraqitje gjatë një karriere 21-vjeçare, duke përfshirë 77 gola në 92 ndeshje për vendin e tij, dhe u shpall Lojtari i Shekullit nga FIFA në vitin 2000. Në memorialin e së hënës për Pelen në Santos, qyteti ku ai doli në skenë si lojtar, Infantino, tha se FIFA do t'i kërkonte “çdo vendi në botë të emëronte një nga stadiumet e tyre të futbollit me emrin Pele”. Përderisa Kepi i Gjelbër tashmë ka ndërmarrë këtë veprim, pritet që edhe vendet e tjera të reagojnë. Megjithatë, presidenti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, Danny Jordaan, që atëherë ka ngritur shqetësime se kjo mund të shkaktojë probleme të mundshme me të drejtat e emërtimit të stadiumit.