Sport

Reali siguron edhe për një vit Benzeman e Modriqin

Sulmuesi Karim Benzema dhe mesfushori Luka Modriq, do të jenë pjesë e Real Madridit edhe për sezonin e ardhshëm, ka raportuar “Marca” të martën.

Bëhet e ditur se si Benzema ashtu edhe Modriq kanë arritur marrëveshje me klubin për t’i rinovuar kontratat që u skadojnë në fund të sezonit.

Të dy futbollistët janë pajtuar me rinovimin e kontratave edhe për një vit, gjë që do të bëhet zyrtare brenda këtij muaji.

Benzema 35-vjeçar është pjesë e Realit prej vitit 2009, ndërsa këtë edicion ka shënuar shtatë gola në tetë paraqitje në La Liga. Ndërkohë, Modriq ka pesë gola e dy asistime në të gjitha garat. 37-vjeçari është pjesë e Real Madridit prej vitit 2012 kur iu bashkua nga Tottenhami.