Sport

Dhoma e Messit në Katar shndërrohet në muze

Dhoma ku ka qëndruar Lionel Messi gjatë kupës së botës “Katari 2022” do të jetë e veçantë. Në fakt, kjo dhomë në konviktin e Universitetit të Katarit me seli në Doha, ku ishte e vendosur Përfaqësuesja e Argjentinës për një muaj, do të shndërrohet në muze.

Ideja për kthimin e dhomës së Messit në muze ka ardhur pas triumfit të Argjentinës në Botërorin e veçantë të Katarit. Argjentina e mposhti Francën në finale me penallti, ndërsa Messi ishte më i merituari për rrugëtimin e ekipit deri te trofeu i shumëkërkuar. Në shtatë ndeshje të luajtura, Messi shënoi shtatë gola dhe po ashtu u shpall lojtari më i mirë i Botërorit. Ai e riktheu titullin e botës në Argjentinë pas një pritjeje të gjatë. Për Argjentinën ishte titulli i parë prej vitit 1986, ndërsa i treti në histori.

Vendimi tashmë është marrë që dhoma e Messit, e cila në derë ka mbishkrimin “L. Messi” dhe në të cilën me ngjyrë të kaltër është shkruar Argjentina, të jetë muze i vogël për të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë në Universitetin e Katarit.

Messi ka qëndruar në dhomën me numrin B201 dhe brenda saj tashmë javë vendosur disa artikuj të lidhur me paraqitjen e yllit argjentinas në Kupën e Botës. Në fakt, një pjesë e konviktit studentor në Universitetin e Katarit ka 90 dhoma dhe pjesë e tij janë edhe disa nga ambientet sportive më moderne.

“Dhoma në të cilën Leo Messi po qëndronte në Universitetin e Katarit gjatë Kupës së Botës do të bëhet një muze i vogël”, ka shkruar gazetari i njohur Achraf Ben Ayad në Twitter, ku e ka publikuar edhe një fotografi të derës së dhomës së Messit.

Turneu i Katarit ishte Botërori i fundit për Messin, i cili paralajmëroi se nuk do të jetë pjesë e Argjentinës për Kupën e Botës në vitin 2026, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Botërori i Katarit ishte i pesti në karrierën e Messit.

Brenda një periudhe të shkurtër, Messi e ka udhëhequr Argjentinën drejt dy trofeve të rëndësishëm. Para titullit të botës, Messi vitin e shkuar e fitoi edhe Copa American me Argjentinën. Ai ishte kapiten i Argjentinës, për të cilën debutoi në vitin 2005.

35-vjeçari me fanellën e Argjentinës ka regjistruar 172 paraqitje dhe ka shënuar 98 gola.

Argjentina nuk e nisi mirë Botërorin, pasi në ndeshjen hapëse u befasua nga Arabia Saudite. Arabia e mposhti me rezultatin 2:1. Pas kësaj disfate të papritur, Argjentina i fitoi të gjitha ndeshjet e tjera për ta ngritur trofeun e çmuar.