Sport

Dy lojtarë të Francës fyhen në baza raciste

Mediumet franceze kanë raportuar se dy lojtarë të Francës janë abuzuar në baza raciste në rrjetet sociale pas humbjes në finalen e Kupës së Botës nga Argjentina, të dielën.

Kingsley Coman dhe Aurelien Tchouameni kanë pranuar mesazhe të turpshme në llogaritë e tyre, pasi humbën penalltitë kundër Argjentinës. Franca pësoi humbje 4:2 në penallti nga Argjentina në Katar, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk prodhuan fitues.

Gjuajtjen e Comanit nga pika e bardhë e priti portieri Emiliano Martinez, ndërsa Tchouameni gjuajti jashtë portës. Klubi i Comanit, Bayerni Munichu, ka postuar një mesazh mbështetjeje për 26-vjeçarin, ndërsa Tchouameni kërkoi falje për penalltinë e humbur.

Abuzimi i marrë nga lojtarët francezë është i ngjashëm me atë që ndodhi pas humbjes së Anglisë në penallti nga Italia në finalen e “Euro 2020”. Pas asaj ndeshjeje, Bukayo Saka, Marcus Rashford e Jadon Sancho, të cilët humbën penalltitë, morën abuzime raciste në internet.