Lionel Messi i dha fund pritjes së gjatë për triumf në Kupën e Botës në një nga finalet më të paharrueshme në histori. Messi ishte frymëzuesi i suksesit, duke shënuar dy gola për të çuar totalin e tij në shtatë dhe duke siguruar triumfin e tretë të Argjentinës në Kupën e Botës. Argjentina mundi Francën 4:2 me penallti pas një barazimi 3:3. Kylian Mbappe e bëri Messin të punonte shumë për trofeun që e dëshironte prej kohësh, duke shënuar “hat-trick”, duke përfshirë dy gola brenda 97 sekondave për ta kthyer Francën në lojë pas disavantazhit 2:0. Sulmuesi francez barazoi sërish rezultatin pasi Messi e kaloi Argjentinën para në vazhdime.
Megjithatë ishte Kupa e Botës e Messit. Pas përmbushjes së ambicies jetësore, çfarë do të ndodhë për të dhe Argjentinën? Me Messin në ekip, Argjentina do të jetë gjithmonë ndër favoritet. Por, në moshën 35-vjeçare dhe me paralajmërimin se ky ishte Botërori i fundit, mbetet të shihet se kush do të jetë lider i Argjentinës për ta udhëhequr drejt suksesit tjetër. Kur Arabia Saudite prodhoi një nga përmbysjet më të mëdha në historinë 92-vjeçare të Botërorit duke mposhtur Argjentinën 2:1 në fazën e grupeve, mundësia për një largim të hershëm e të turpshëm dukej reale. Messi frymëzoi skuadrën që të rikuperohej nga ajo pengesë dhe ofroi një nga paraqitjet e shkëlqyera në turne me shtatë gola dhe tri asistime.
Ndërsa pritshmëritë e Argjentinës mund të mos kishin qenë më të lartat për Kupën e Botës së këtij viti, Messi më në fund i realizoi pritshmëritë e vendosura mbi të për pjesën më të madhe të karrierës së tij duke fituar çmimin më të madh të sportit. Messi tha se ai do të qëndrojë për një kohë më të gjatë, edhe nëse gjasat për të luajtur për Botërorin e ardhshëm pothuajse nuk ekzistojnë. Angel di Maria është 34-vjeçar dhe në fillim të këtij viti tha se do të tërhiqej nga futbolli ndërkombëtar pas turneut në Katar. Nicolas Otamendi është gjithashtu 34-vjeçar dhe nuk ka gjasa të përfshihet kur Argjentina të tentojë të mbrojë trofeun pas katër vjetësh.
Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, është i sigurt se ka fituar admirues nga klubet kryesore pasi fitoi Kupën e Botës në një moshë relativisht të re, 44-vjeçare.
“Unë dua ta kem Messin edhe në Botërorin tjetër, pasi ai është frymëzuesi dhe lideri i Argjentinës. Megjithatë, do të shohim se çka do të ndodhë deri atëherë, edhe pse Messi do të vazhdojë të luajë për Argjentinën”, pranoi Scaloni.
Pavarësisht se Messi ishte frymëzim për Argjentinën, ishte një skuadër plot me talente të reja që ende nuk e kanë arritur kulmin e tyre. Më i dukshëm është sulmuesi 22-vjeçar Julian Alvarez, i cili shënoi katër gola për t'u bërë ylli më i fundit në Argjentinë. Mesfushori Enzo Fernandez, 21 vjeç, u zgjodh lojtari më i mirë i ri i turneut dhe tashmë po lidhet me lëvizje nëpër klubet kryesore të Evropës, pavarësisht se vetëm së fundmi nënshkroi për Benfican. Mbrojtësit Cristian Romero dhe Nahuel Molina janë 24-vjeçarë dhe mesfushori Alexis Mac Allister është 23-vjeçar. Trajneri Scaloni ka bazën e një ekipi për t'u ndërtuar.
“Mendoj se ky ekip ka potencial, pasi kemi lojtarë të rinj që mund ta marrin përgjegjësinë dhe ta udhëheqin ekipin drejt sukseseve të reja. Ne do të vazhdojmë punën tonë për të krijuar një ekip edhe më të mirë për turnetë që na presin”, paralajmëroi Scaloni.
Rruga për Botërorin e ardhshëm është planifikuar të fillojë në muajin mars të vitit të ardhshëm dhe Argjentina do të mbrojë gjithashtu edhe titullin në Copa America në turneun e vitit 2024.