Sport

Messi e Mbappe i japin Katarit përfundimin e përkryer të Kupës së Botës

Lionel Messi - me Kupen e Botes

Kur bëhet fjalë për futbollin, paratë mund ta blejnë botën. Mund të paguhet për Kupën e Botës, për lojtarët më të mirë në botë. Dhe mund t'i bashkojë të gjitha në një pako të përsosur dhe t'ia paraqesin atë një audience globale prej miliona njerëzish.

Fuqia e parasë u shfaq në qytetin Lusail të Katarit, të dielën, teksa Argjentina mundi Francën 4:2 me penallti për t'u bërë kampione bote për herë të tretë. Fitorja i dha fund ndjekjes së Lionel Messit për të vetmin trofe të madh që i kishte shpëtuar në karrierë. Një nga finalet më emocionuese në historinë 92-vjeçare të turneut përfundoi 2:2 në kohën e rregullt dhe 3:3 pas vazhdimeve, me Messin që shënoi dy herë dhe Kylian Mbappen që realizoi “hat-trick”.

“Ndeshja ishte krejtësisht e çmendur”, tha trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni. “E di që është vetëm një lojë futbolli, një Kupë Botërore dhe nuk duhet të mendojmë më tej. Por në Argjentinë, futbolli nuk është vetëm futboll. Duhet të festojmë”.

Në fund nuk ishte një kthim i keq për Katarin, i cili shpenzoi rreth 200 miliardë dollarë për organizimin e ngjarjes më prestigjioze të futbollit. Qindra miliona të tjera janë paguar për të marrë superyjet Messi dhe Mbappe në Paris Saint-Germain, klub në pronësi të Katarit. Dhe në skenën më të madhe të sportit, ishte finalja perfekte për sa i përket vendit të pasur me naftë dhe gaz.

Në një skenë të përkohshme në mes të fushës, emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, i dha Messit një mantel ceremonial të Katarit për ta veshur mbi fanellën e Argjentinës, për ngritjen tradicionale të trofeut të Kupës së Botës.

Messi po shkëlqente nga krenaria teksa puthte me butësi kupën. Por është padyshim vendi organizator që mund ta konsiderojë veten fituesin më të madh. Pas kritikave në lidhje me të dhënat për të drejtat të njeriut dhe trajtimin e punëtorëve emigrantë, fokusi kaloi te futbolli ndërsa turneu zhvillohej. Deri në finalen e së dielës rrëfimi u fiksua në misionin e Messit për të arritur të madhin argjentinas, të ndjerin Diego Maradona duke e çuar vendin drejt një triumfi në Kupë të Botës. Pengesa e Argjentinës ishte Franca, që synonte të bëhej skuadra e parë që e mbron trofeun që nga Brazili dhe Pele në vitin 1958 dhe 1962.

“Ishte gjithmonë e pashmangshme që biseda të kthehej gjithnjë e më shumë në futboll pasi të fillonte turneu, por çështjet e të drejtave të njeriut nuk janë zhdukur kurrë dhe do të vazhdojnë të ngrihen shumë kohë pas turneut”, tha Steve Cockburn, kreu i drejtësisë ekonomike dhe sociale në “Amnesty International”.

Amnesty thotë se mijëra punëtorë emigrantë kanë vdekur “papritmas” në Katar gjatë dekadës së fundit.

Muajin e kaluar Hassan al-Thawadi, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Suprem të Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë, tha se midis 400 dhe 500 punëtorë kishin vdekur gjatë ndërtimeve për turneun. Komiteti më vonë tha se ai po i referohej vdekjeve të lidhura me punën nga viti 2014 deri më 2020, jo posaçërisht për Kupën e Botës.

Organit qeverisës i futbollit, FIFA-s, i është bërë presion për të dhënë përgjigje për një fond kompensimi të propozuar për të prekurit dhe konceptin e një qendre për punëtorët emigrantë që do të krijohet në Doha. Progresi në të dyja këto çështje mbetet i paqartë.

“Katari dëshiron të jetë një qendër për ngjarjet globale sportive dhe kulturore dhe duhet ta dijë se shqyrtimi do të vazhdojë," tha Cockburn. “Organizimi i Kupës së Botës ka sjellë shumë më tepër vëmendje në trajtimin e punëtorëve emigrantë në Katar dhe dhe pjesën tjetër të Gjirit”.

Kishte gjithashtu një ndalim të papritur të shitjes së birrës në stadiume dy ditë përpara ndeshjes hapëse, e cila ishte një kthesë në marrëveshjen e bërë nga Katari për të siguruar turneun.

Termi “larje sportive” përdoret gjerësisht në lidhje me vendet ose organizatat që përpiqen të përdorin sportet për të riparuar dëmtimin e reputacionit. Dhe Kupa e Botës e largoi vëmendjen nga çështjet jashtë fushës duke prodhuar disa histori të jashtëzakonshme. Arabia Saudite shkaktoi padyshim tronditjen më të madhe në historinë 92-vjeçare të turneut duke mundur Argjentinën në ndeshjen hapëse në fazën e grupeve. Maroku u bë vendi i parë afrikan që kaloi në gjysmëfinale dhe shkaktoi një vërshim krenarie në të gjithë botën arabe.

“Për mua, futbolli i bën njerëzit të ëndërrojnë dhe fëmijët në veçanti”, tha trajneri i Marokut, Walid Regragui. “Në Marok dhe Afrikë ne i kemi mbajtur gjallë ato ëndrra”.

Ndoshta në mënyrë të parashikueshme, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e përshkroi “Kupën e Botës më të mirë ndonjëherë”.

Megjithatë, ai nuk është i vetmi që flet për këtë Botëror në terma pozitivë.

“Katari ka fituar shumë miq për shkak të këtij Botërori dhe mënyrës se si është trajtuar”, tha David Dein, udhëheqësi i kampanjës së Anglisë për Kupën e Botës 2018 dhe 2022.

Ai ndoqi më shumë se 50 ndeshje gjatë turneut dhe beson se përvoja do të frymëzojë ndryshim të vërtetë në Katar.

“Ata kanë qenë shumë mendjehapur ndaj kësaj,” shtoi ai. “Unë mendoj se Katari do të përfitojë nga kjo në vazhdim. Shpresoj. Kjo duhet të jetë një trashëgimi për të”.

Sigurisht që është e lehtë të shihet përfitimi i menjëhershëm. Katari do të lidhet përgjithmonë me Messin pasi më në fund fitoi Kupën e Botës dhe e forcoi më tej reputacionin për t'u konsideruar lojtari më i madh i të gjitha kohërave.

“U desh kaq shumë, por ja ku është”, tha Messi. "Natyrisht, unë doja të përfundoja karrierën time me këtë, unë nuk mund të kërkoj më shumë."

Në moshën 35-vjeçare, Messi ishte emblema e këtij Botërori. Fakti që finalja u kthye në një duel personal mes tij dhe shokut të skuadrës të PSG-së, Mbappes, i shtoi një tjetër sfidë një gare magjepsëse. Mbappe është trashëgimtari natyror i Messit dhe Cristiano Ronaldos si superylli i ardhshëm i futbollit. Ai shënoi “hat-trickun” e parë në finale të Kupës së Botës në 56 vjet. Ai ishte gjithashtu golashënuesi kryesor i turneut me tetë gola, duke siguruar që një tjetër nga investimet e mëdha të Katarit të ishte në podium për të mbledhur një trofe në fund.

Por imazhi i qëndrueshëm i një Kupe Botërore ishte një nga lojtarët më të mëdhenj në botë, Messi, i cili me veshje tradicionale të Katarit ngriti trofeun më të madh të sportit.