Brenda një periudhe të shkurtër, Kosova mund të bëhet organizatore e Lojërave Mesdhetare. Kështu është thënë të shtunën në konferencën për shtyp ku pjesëmarrës ishin drejtues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, është ndarë i kënaqur që ishte nikoqir i 26 anëtarëve të kësaj organizate, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, foli për rëndësinë e organizimit të mbledhjes së drejtuesve të ICMG-së në Kosovë.
“E kemi dhënë një notë që në të ardhmen mundemi edhe ne të organizojmë ngjarje të tilla, ngjarje edhe më të mëdha, që në të ardhmen e shkurtër, të organizojmë ndonjë event siç janë Lojërat Mesdhetare, së bashku me ndonjë shtet fqinj”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, sekretari Aliti theksoi se është hera e parë në historinë 71-vjeçare të ICMG-së që një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv organizohet në një qytet që nuk është mikpritës i Lojërave Mesdhetare.
“Për neve është krenari dhe privilegj, por edhe përgjegjësi të presim anëtarë të 26 shteteve anëtare të ICMG, të cilët janë pritur edhe nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani dhe ministri, Hajrullah Çeku. Shpresojmë dhe besojmë që në të ardhmen e afërt ky organizim do të rritet dhe të organizojmë edhe ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare”, është shprehur Aliti.
I lumtur për këtë takim është ndarë Presidenti i ICMG-së, Davide Tizzano, i cili dha lëvdata për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ndërkohë, foli për gjasat që Kosova të jetë organizatore e ngjarjeve të mëdha.
“Ne kemi dy lloje Lojërash, ato të rërës dhe Lojërat Mesdhetare. Mendoj që Komiteti Olimpik i Kosovës është i gatshëm të nis angazhimin në këto procedura dhe këtë e ka demonstruar me kompetencë dhe pasion. Por e ka bërë të qartë se ka edhe ide për të ardhmen”, theksoi Tizzano.
Kosova në Lojëra Mesdhetare ka qenë shumë e suksesshme, sidomos në sportin e xhudos.
Ka fituar 10-të medalje gjithsej, gjashtë të arta, një të argjendtë dhe tri të bronzta. Nëntë prej tyre janë nga xhudoja dhe një nga sporti i boksit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.