Mesfushori i Fiorentinës, Sofyan Amrabat, ka qenë shumë i emocionuar pas fitores së Marokut në një të tetën e finales ndaj Spanjës dhe ka bërë të ditur se ka luajtur i lënduar. 26-vjeçari ishte prej më të mirëve në fushë kundër spanjollëve kur Maroku e siguroi çerekfinalen dhe rezultatin historik. Ishte hera e parë për Marokun që arrin në këtë fazë të garës.
Amrabat ka shkëlqyer në këtë turne me Marokun dhe vlera e tij para afatit kalimtar të janarit është rritur shumë.
“Dua t’u tregoj se para ndeshjes kam qenë i zgjuar deri në 3 të mëngjesit me fizioterapeutin tim për të bërë diçka të pamundur. Kam luajtur me injeksione, sepse nuk kam mundur t’i lë vetëm bashkëlojtarët dhe gjithë shtetin. Jam shumë i lumtur dhe krenar”, është shprehur Amrabat.
Amrabat po vuan nga një lëndim në shpinë, por arriti që të luajë 120 minuta në Kupën e Botës ndaj Spanjës.